Berisha në Afganistan - aleatët vlerësojnë kontributin e ushtarakëve shqiptarë

Kryeministri Sali Berisha vizitoi trupat ushtarake shqiptare në Kabul, Herat e Kandahar, ndërkohë që ka mirëpritur vlerësimet e Komandës Ushtarake të NATO-s për praninë dhe kontributin e trupave tona atje.
Fokus/ Në Kandahar, atje ku ndodhet i dislokuar kontigjenti “Eagle 4”
Kryeministri Sali Berisha u kthye dje nga një vizitë dyditore që u bëri trupave të Forcave të Armatosura Shqiptare në Afganistan, që operojnë në kuadër të misionit të NATO-s, ISAF. Kryeministri shoqërohej në këtë vizitë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FARSH), Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi. Kryeministri Berisha u takua me ushtarakët shqiptarë që janë me mision në Shtabin e ISAF dhe komandën rajonale në Kabul.
Kryeministri vizitoi Bazën e Përparuar Operacionale në Spin Buldok në Kandahar, ku është vendosur edhe kontingjenti i Forcave Speciale Shqiptare “Eagle 4” dhe pati një takim shumë të përzemërt me efektivin e kompanisë “Eagle 4”.
Në ditën e dytë, Kryeministri u takua me efektivin e kontingjentit të FARSH në Kamp Arena, në Herat. Kryeministri u shprehu ushtarakëve tanë mirënjohjen më të thellë të tij, të qeverisë dhe popullit shqiptar për përfaqësimin me dinjitet të lartë të Shqipërisë, në përmbushjen e angazhimeve të saj në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në mbështetje të popullit afgan. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha zhvilloi takime edhe përfaqësuesin civil më të lartë të NATO-s në Shtabin e ISAF, ambasadorin Simon Gass, me Komandantin e Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Asistencës, njëkohësisht Komandant i Forcave Amerikane në Afganistan, Gjeneral John Allen, komandantin e Komandës Rajonale Perëndimore Gjeneral Brigade Luigi Chapperini, Zëvendëskomandantin e Komandës Rajonale Jugore Gjeneral Majorin Javier Cabeza. Kryeministri Berisha falënderon me mirënjohje Komandën e NATO-s në Kabul, komandot e njësive të saj në Spin Buldok, Kandahar, Komandën e ISAF në Herat, qeverinë turke, Forcat e Armatosura të SHBA-së dhe Italisë për lehtësimet e jashtëzakonshme që krijuan në realizimin e plotë të kësaj vizite.
“Angazhimet në operacionet e NATO-s kanë sjellë një cilësi të re të FASH”
Kryeministri Sali Berisha u takua me ushtarakët shqiptarë që janë me mision në Shtabin e ISAF dhe komandën rajonale në Kabul. Berisha i përgëzoi ata përmbushjen me dinjitet dhe profesionalizëm angazhimet e tyre në kuadër të misionit të tyre në Afganistan, si dhe u përcolli edhe përgëzimet e vlerësimet më të larta të NATO-s dhe komandës së ISAF-it. Kryeministri vlerësoi se angazhimet e përbashkëta të Forcave të Armatosura Shqiptare me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s, me ushtrinë e SHBA-së si në Irak kanë sjellë një cilësi të re për Forcat tona të Armatosura. “Kjo veprimtari në fushë betejë është gjithashtu një aset shumë i çmuar, për të përballuar me sukses vështirësitë që krijohen në Shqipëri e në çdo vend, shpesh herë të ngjashme e më të egra se vetë lufta, u shpreh Kryeministri, duke sjellë në vëmendje përballimin me sukses të disa fatkeqësive natyrore që ka kaluar vendi në këto tre vitet e fundit, ku, vendosmëria, gjakftohtësia, aftësitë e kompetencat e njësive të Forcave të Armatosura kanë qenë përcaktuese”.
Kryeministri Berisha i njohu më tej ushtarakët tanë edhe me reformimin e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe zhvillimet në Shqipëri.
Në Kandahar, atje ku ndodhet i dislokuar kontigjenti “Eagle 4”
Kryeministri Berisha vizitoi bazën ushtarake ajrore të Kandaharit, ku u prit nga Komandanti i Njësisë Shqiptare, Nënkolonel Behar Mara dhe Zëvendëskomandanti i Komandës Rajonale Jugore Chriss Fields.
Kryeministri mori vlerësimet më të larta për performancën e shkëlqyer të ushtarakëve shqiptare dhe duke shfrytëzuar këtë vizitë, ata i ri shprehën Kryeministrit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetës së Kapiten Veti Voglit dhe vlerësimin më të madh për të si një oficer dhe mik i shkëlqyer.
Nga kjo bazë, Kryeministri Berisha iu drejtua bazës operacionale Spin Buldok në Kandahar, në të cilën ndodhen të dislokuar së bashku me njësitë amerikane edhe kontingjenti “Eagle 4”, i përbërë nga 44 ushtarakë të Forcave Speciale të Republikës së Shqipërisë. Pjesë e këtij kontingjenti ishte edhe Kapiteni Feti Vogli.
Nënkolonel Mara e informoi Kryeministrin për misionin dhe zbatimin me sukses të detyrave të rëndësishme që i janë ngarkuar njësisë së tyre gjatë kësaj periudhe, përfshi edhe operacionet anti elementeve talebanë. Në këtë kontekst, Nënkolonel Mara e informoi Kryeministrin edhe për incidetin e sulmit të pabesë të policit afgan, gjatë të cilit ra në krye të detyrës Kapiten Feti Vogli dhe u plagos Tetar Aleksandër Peci, si dhe u plagosën disa ushtarakë të SHBA-së.
Kryeministri Berisha i falënderoi ushtaraket shqiptarë të Forcave Speciale, por edhe kolegët e tyre amerikanë, për punën e shkëlqyer dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ata po japin për konsolidimin e sigurisë në këtë rajon jashtëzakonisht të rëndësishëm për misionin e Koalicionit, për të shkatërruar elementet talebanë e terroristë dhe konsolidimin e paqes e sigurisë në këtë vend mik.
Në vijim, në mjediset e bazës u zhvillua një ceremoni për nder të vizitës së Kryeministrit Berisha.
Gjatë saj, Komandanti amerikan i bazës, Kolonel Johnson theksoi në fjalën e tij se ushtarakët shqiptare të Forcave Speciale “Eagle 4” që shërbejnë në Kandahar janë ndër ushtarakët më të mirë që ai ka njohur gjatë gjithë karrierës së tij ushtarake, të përkushtuar, luajalë e të vendosur. Unë, tha Kolonel Johnson, ia kam besuar dhe do t’ia besoja jetën time, në çdo moment, këtyre ushtarakëve të shkëlqyer.
Koloneli Johnson, duke prezantuar para ushtarakëve amerikanë Kryeministrin Berisha, theksoi se është një nder i jashtëzakonshëm të kemi sot, mes nesh, një figure kaq të spikatur, që prej njëzet vjetësh i është përkushtuar tërësisht, me vizion e vendosmëri, konsolidimit të lirisë dhe demokracisë në Shqipëri.
Kjo vizite, tha ai, është një inspirim dhe një inkurajim i jashtëzakonshëm për të gjithë ushtarakët që shërbejnë në këtë bazë.