E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Azerbajxhan: Investoni në Shqipëri, klima e favorshme

AZERBAJXHAN- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se, projekti për gazsjellësin Trans-Adriatik, TAP është projekti me fizibël për transmetimin e gazit azer drejt tregjeve europiane dhe me rëndësi vitale për sigurinë energjetike dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Europës.

Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë bëri të ditur se, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Baku, Kryeministri Berisha u takua me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Në këtë takim, Presidenti Aliyev shprehu interes për mundësitë e mëdha për bashkëpunim dhe investime dhe sugjeroi që të ngrihet një komision i përbashkët ndërqeveritar që do të shqyrtojë dhe ndjekë të gjitha iniciativat e këtij bashkëpunimi.
Ai falenderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e Shqipërisë ndaj Azerbajxhanit, për postin e anëtarit të Këshillit të Sigurimit.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha theksoi se fryma miqësore e marrëdhënieve politike dhe pozicioni gjeopolitik i të dy vendeve janë faktorë themelorë për një bashkëpunim të frytshëm.

Kryeministri Berisha ftoi kompaninë shtetërore të gazit dhe naftës Socar të marrë pjesë në privatizimin e Albpetrolit, si dhe në zhvillimin e masterplanit për ngritjen e rrjetit të transmetimit të gazit në Shqipëri.

Gjatë ditës së sotme, Kryeministri Berisha bëri një vizitë në monumentin kushtuar heroit kombëtar të Azerbajxhanit, Hajdar Alijev, ish-president i Republikës së Azerbajxhanit, pas shkëputjes nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Kryeministri vuri një kurorë me lule për nder të ish Presidentit, në një ceremoni solemne në memorial. Më pas, Kryeministri Berisha vuri një kurorë edhe tek monumenti i Zjarrit të Pashuar, në varrezat e dëshmorëve, si dhe nderoi rreth 150 personat e vrarë brenda një nate nga ushtria sovjetike në vitit 1990, në përpjekje për të shtypur pavarësinë e Azerbajxhanit.

BERISHA PRITET NGA HOMOLOGU I TIJ
Kryeministri i vendit Sali Berisha në vijim të vizitës së tij në Azerbajxhan, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Azerbajxhanit z.Artur Rasi-zade.

Pas takimit, të dy shefat e qeverive ishin të pranishëm në nënshkrimin e Marrëveshjes për mbrojtjen dhe nxitjen reciproke të investimeve mes dy vendeve, si dhe një Memorandumi Mirëkuptimi midis Ministrive të Ekonomisë të dy vendeve, për bashkëpunimin në fushën e industrisë dhe energjisë.

Të dy kryeministrat vlerësuan edhe rëndësinë e ngritjes së një komisioni të përbashkët ekonomik, për të çuar më tej axhendën e bashkëpunimeve në fusha me interes reciprok.

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, nënvizoi Kryeministri azerbajxhanas, intensifikohet më tej edhe përmes nënshkrimit të 2 marrëveshjeve të rëndësishme që u bënë gjatë kësaj vizite.

Kryeministri Berisha, duke e njohur homologun azerbajxhanas me zhvillimet në Shqipëri, nënvizoi se investimet azere janë të mirëpritura në një sërë sektorësh me interes reciprok si; energjetika, turizmi etj dhe se qeveria shqiptare po bën çdo përpjekje për të krijuar një klimë sa më të favorshme dhe lehtësuese për investimet e huaja.

Shqipëria, theksoi Kryeministri, ka potenciale të vërteta për t’ua ofruar kompanive të Azerbajxhanit, si dhe çdo qytetari të këtij vendi që dëshiron të vizitojë vendin tonë si turist.

BERISHA TAKON KRYEPARLAMENTARIN ASADOV
Në vijim të takimeve me personalitetet më të larta në Baku, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentarin, zotin Oktay Asadov.

Kryeparlamentari Asadov vlerësoi si një hap pozitiv në konsolidimin e marrëdhënieve midis dy vendeve edhe ngritjen e grupeve parlamentare të miqësisë. Zoti Asadov falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara apo institucione të tjera ndërkombëtare.

Kryeministri shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të garantuar suksesin e çdo investitori azer në Shqipëri. Kryeministri theksoi se do të ishte e mirëpritur prezenca e kompanisë shtetërore azere Socar, me investimet e saj në fushën e energjisë dhe naftës, në Shqipëri.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›