E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq, Nishani: Situata do përkeqësohet, shteti në këmbë

TIRANE -  Ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani përcolli në Kuvend një informacion të detajuar në lidhje me situatën e krijuar nga moti i keq në disa zona të vendit.

Sipas ministrit Nishani, qeveria ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe ka në dispozicion resurset dhe kapacitetet e mjaftueshme për ta kaluar këtë situatë të vështirë.

“Presim një përkeqësim të motit në ditët në vazhdim. Komiteti Ndërministror do të jetë pranë qarqeve problematike. Mirëpresim edhe bashkëpunimin nga qeverisja lokale.”-tha ministri Nishani.

Ndërkohë, ministri Nishani bëri të ditur se prej disa ditësh reparti RENEA ka nisur operacionet në komunat e bllokuara, ku po shpërndahen ndihma ushqimore, medikamente dhe po evakuohen banorët në vështirësi.

“Është bërë e mundur të ndërhyet në disa komuna, duke evakuuar qytetarë në nevoja dhe duke ndarë disa ndihma parësore. Jemi të gatshëm të ndërhyjmë për evakuim në çdo rast.”- u shpreh ministri.

Ndër të tjera, ministri i Brendshëm theksoi se qeveria është në këmbë dhe të gjitha ministritë janë të angazhuara për tu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

"Ministria e Shëndetësisë ka në dispozicion një stok të medikamenteve të ndihmës mjekësore dhe janë të gatshëm të ndërhyjnë. Ministria e Transportit ka bërë të mundur përballimin e kësaj situate duke siguruar kalueshmërinë në rrugë. Ministria e Arsimit ka monitoruar situatën në të gjitha shkollat. Komiteti Ndërministror është shpërndarë dhe operon në prefektura te ndryshme. Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion një paketë financiare për komunat më në vështirësi.” - vijoi më tej ministri Nishani.

BALLA-NISHANIT: SHKO TEK ZONAT E BLLOKUARA
Deputi i Partisë Socialiste Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit, gjatë kohës së vënë në dispozicion për parlamentarët për diskutime jashtë rendit të ditës, i tha ministrit të Bredshëm Bujar Nishani që do ishte mirë që ai të mungonte në seancën e sotme, në mënyrë që ti qëndronte më pranë me personat që kanë nevojë për ndihmë, për shkak të kushteve të motit.

Ndërkohë, duke iu referuar deklaratave të deputetëve të mazhorancës për këtë cështje ai deklaroi se ato nuk kanë informacion se cfarë po ndodh në komunat e bllokuara në vend.

“Zoti ministër do bënit mirë të kishit qëndruar në sallën operative. Më vjen keq për deputetin që sapo foli se më duket se ka shtëpi të legalizuar, ndaj nuk e di cka ndodhur në Tropojë. Na mori një banor dhe na tha se Bujani nuk ka ushqime dhe ilace dhe na kërkoi ndihma. Të flasësh sic foli deputeti i Tropojës pak më parë është miopi”,- nënvizoi Balla.
(er.nu/l.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›