LSI, kundër PS-së: Jo shtyrjes së zgjedhjeve
Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë kundër opsionit socialist për të kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve me pretekstin e problemeve me kartat e identitetit. Një ditë pasi PS hodhi këtë ide, megjithëse nuk e ka artikuluar akoma si propozim politik, pjesa tjetër e opozitës e ka kundërshtuar si një variant të rrezikshëm. Zv.kryetari i kësaj partie, Pëllumb Xhufi, tha dje se “Lëvizja Socialiste për Integrim i bën thirrje Partisë Demokratike, por edhe Partisë Socialiste, të ulen së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për situatën e krijuar, zgjidhjen më të mirë të mundshme”. Ai bën të qartë se Lëvizja Socialiste për Integrim do të miratojë çdo zgjidhje që do të arrihej për të krijuar, sipas tij, pikërisht parakushtet që të gjithë qytetarët shqiptarë të mund të votojnë më 28 qershor. Ndërkaq duke iu referuar propozimit të mundshëm për të shtyrë datën e 28 qershorit, Xhufi ishte më se i qartë dhe kundërshtues. “LSI është e gatshme të marrë pjesë edhe ajo për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjes në fjalë. Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron shtyrjen e zgjedhjeve një opsion jo të mundshëm, madje një opsion të rrezikshëm, sepse do të zgjaste dhe do të rëndonte akoma më shumë në problemet ekonomike dhe sociale dhe do të ngarkonte akoma më tutje klimën e ndezur elektorale politike në Shqipëri. Gjithashtu, duam të kujtojmë që kjo zgjidhje duhet të bëhet urgjent këto ditë, për arsye sepse ashtu siç u theksua në raportin e Komitetit Amerikan të Helsinkit, një zgjidhje që do të bëhej nesër, qoftë edhe një zgjidhje e mirë, nuk do të evitonte që zgjedhjet tona të konsideroheshin zgjedhje të cenuara”, - deklaroi zyrtari i kësaj partie. Ndërkohë ai i është referuar raportit të fundit të Helsinkit për të evidentuar problemet që ekzistojnë në procesin e pajisjes me karta. Ai e cilësoi diskutimin e djeshëm në Komitetin Amerikan të Helsinkit si provë të interesit dhe të kujdesit që SHBA ka për procesin demokratik në Shqipëri dhe në veçanti për procesin zgjedhor. Por, sipas Xhufit, “është provë gjithashtu e shqetësimit të SHBA-së se zgjedhjet në Shqipëri dhe po citoj fjalët e bashkëkryetarit Hasting të këtij komiteti, sipas të cilit, zgjedhjet në Shqipëri vazhdojnë të jenë një pikë shumë e dobët e demokracisë shqiptare”. LSI nuk përkrah një zgjidhje të minutës së fundit dhe shfrytëzon rastin për të kujtuar se PS është po aq fajtore sa PD në problemet që po hasen me procesin zgjedhor, pasi ishin bashkëpunëtorë në përgatitjen e këtij procesi. “Lëvizja Socialiste për Integrim jo në minutën e fundit, dhe jo në grahmat e fundit të qeverisë “Berisha”, por që në minutat e para të jetës së kësaj qeverie të vitit 2005, në mënyrë zyrtare i ka kërkuar Kryeministrit Berisha që ishte dhe bashkëfajtori për dështimin e zgjedhjeve të vitit 2005, që të realizonte parakushtet e domosdoshme që zgjedhjet e vitit 2009 të ishin vërtet të lira dhe të drejta”, - tha zyrtari i LSI-së. Ai sqaroi se në kërkesat e LSI-së ka qenë pajisja me karta identiteti të gjithë qytetarëve shqiptarë, që kanë të drejtë vote, por kjo nuk u realizua në 3 vitet e para të qeverisjes. Sipas tij, problemet aktuale ngarkojnë qeverinë “Berisha” me një përgjegjshmëri të veçantë dhe të patjetërsueshme. “Por natyrisht jo vetëm qeverinë, sepse Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar që në krye të gjithë procesin e reformës zgjedhore, që u krye në mënyrë jotransparente, përjashtuese dhe gjithashtu jashtë institucioneve nga PD dhe PS”, - deklaroi më tej ai.
PSV’91, fushatë për rikthimin e Nanos
Socialistët e larguar nga PS-ja pas ardhjes së Edi Ramës në krye, i janë bashkuar lëvizjes së Petro Koçit. Duke qenë kundër mënyrës se si po e drejton partinë Rama dhe mohimit nga ana e tij e ish-kryetarit të partisë, këta socialistë kërkojnë rikthimin e liderit historik. Rikthimi i tij u kërkua me forcë në një takim të PSV’91, organizuar me përkrahësit e saj të Komunës Farkë. Në takim ishin kandidatët për deputetë për Tiranën, kryesuar nga kryetari i partisë, Petro Koçi. Banorët e zonës pritën me vëmendje dhe entuziazëm fjalët e miqve dhe theksuan mbështetjen ndaj PSV’91, si trashëgimtarja e parimeve të Partisë Socialiste të themeluar në 1991. Zoti Koçi shpalosi disa nga pikat më të rëndësishme të programit të PSV’91, ku midis të tjerave theksoi premtimin për njësimin e statusit konstitucional mes bashkive dhe komunave, për të mbyllur hendekun mes fshatit dhe qytetit. Më pas ai theksoi se PSV’91 është për politikën e re të gjithëpërfshirjes e jo atë të përjashtimit, siç ka ndodhur me partitë e mëdha. Ai e ilustroi këtë argument me nevojën e vlerësimit të figurave historike të PS-së si pjesë e trashëgimisë politike, duke e konsideruar një pasuri e jo një barrë. Të pranishmit shprehën entuziazëm në mbështetje të vlerësimit të figurës së liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Zyrtarët e tjerë që folën në këtë takim theksuan nevojën e vlerësimit të rolit historik të figurave të rëndësishme të PS-së dhe nevojës që ata akoma të jenë pjesë aktive e zhvillimeve të reja politike në Shqipëri.