E Diel, 1 Nëntor 2026

KiE, Jonker: Opozita të inkurajojë për kartat, zgjedhjet të mos shtyhen



Në përfundim të misionit në Shqipëri, ku u takuan me të gjithë faktorët brenda vendin, delegacioni i Komisionit Ad Hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dha konkluzionet para medias. Kryesuesja e delegacionit të Komisionit Ad Hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës,i ngarkuar për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, Corien Jonker, kërkoi nga ana e opozitës që të inkurajojë qytetarët që të pajisen me kartat e identitetit. “Qeveria ka përgjegjësinë kryesore në pajisjen e qytetarëve me karta, por ne shpresojmë që dhe partitë politike, sidomos ato të opozitës, të mos bëjnë thjesht një lojë politike, por të jenë edhe ato pozitive në gjithë këtë proces, duke inkurajuar njerëzit të marrin kartat, në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë demokratik”, tha Jonker për mediat pas takimit me ministrin Nishani. Njëkohësit ajo kërkoi nga ana e qeverisë që të realizohet plotësisht procesi. “Qeveria ka përgjegjësinë që çdo person që do të votojë të ketë mundësinë të aplikojë dhe të marrë kartën e identitetit. E vërteta është se jo të gjithë personat që nuk kanë pasaportë kanë pasur mundësinë të aplikojnë dhe po ashtu, edhe ata që kanë pasur mundësinë të aplikojnë, nuk do të thotë që e kanë tashmë kartën e identitetit”, tha parlamentarja evropiane. E pyetur për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, Jonker tha se “kjo mundësi është hedhur nga disa aktorë, por ajo nuk është absolutisht në interes të Shqipërisë dhe nuk do të ndihmonte në funksionimin e sistemit, pasi ka pasur kohë të mjaftueshme për funksionimin e mirë të tij”. Njëkohësisht, në një deklaratë për shtyp në fundin e këtij misioni, u kërkua që të realizohen plotësisht të gjitha kushtet e Kodit Zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›