Withers “Qytetarët të aplikojnë për kartat e identitetit”
Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, dha një mesazh nëpërmjet medias, duke iu drejtuar qytetarëve shqiptarë që të aplikojnë për kartat e identitetit. Withers bëri me dije se qytetarët nuk duhet të tërhiqen nga vota, por duhet të marrin kartën dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi. “Jemi pothuajse edhe një javë larg nga koha e mbylljes se procesit të aplikimit për kartat që do të përdoren në ditën e zgjedhjeve. Dhe në këto pak ditë që kanë mbetur, unë dëshiroj t’u drejtohem të gjithë qytetarëve shqiptarë që janë votues, që të shfrytëzojnë këtë mundësi të madhe për t’u regjistruar dhe për të votuar”, - apeloi ambasadori amerikan.
Duke folur për këtë proces, ambasadori tha se aplikimi i më se 1.2 milionë qytetarëve shqiptarë është për t’u përshëndetur. “Lejomëni të filloj duke thënë se e shoh inkurajues faktin që 1,2 milionë shqiptarë kanë aplikuar për kartat e identitetit”, - tha Withers duke kërkuar njëkohësisht nga qytetarët që kanë aplikuar që të shkojnë dhe të tërheqin kartat e identitetit. Gjithsesi, ambasadori tha se mbetet shqetësim që qytetarët që kanë mundësi vote, por që s’kanë bërë ende aplikimin. “Ky është një shqetësim me rëndësi kritike sepse një nga kërkesat kryesore të standardeve ndërkombëtare që zgjedhjet të quhen të lira dhe të ndershme, është e drejta universale e qytetarëve për të votuar – pra kushdo që dëshiron të votojë duhet të ketë mundësinë për të votuar dhe asnjë pengesë nuk duhet të ndalojë këtë person nga kjo e drejtë”, - deklaroi ai.
Një tjetër pikë e prekur nga ambasadori, ishte edhe mundësia për shtyrjen e zgjedhjeve. I pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë opsion, ambasadori tha se nuk mund të flitet me mundësi hipotetike dhe sipas tij, procesi duhet të shkojë deri në fund ashtu siç ishte planifikuar në fillim. “Preferenca ime është që në vend që të flas për mundësi hipotetike, të punoj shumë në mënyrë që ky proces, për të cilin është rënë dakord, të realizohet. Mendoj se kjo kërkon përpjekje të mëdha nga të gjitha palët e përfshira në proces, por edhe nga drejtuesit politikë në vend. Në pikëpamjen time, ne kemi ende përpara nesh mundësinë që gjërat të funksionojnë ashtu si janë planifikuar. Nëse do të ketë alternativa të tjera, këto duhet të zgjidhen midis drejtuesve politikë të vendit, duhet të jetë vendim i tyre. Pra do ishte në dorën e tyre, jo tonën”, - tha ai, duke iu kërkuar gazetarëve që këtë përgjegjësi ta kërkojnë tek politikanët. Sipas tij, shqiptarët janë vetë të përgjegjshëm për të marrë çfarëdo vendimi. “Forcat e ndryshme politike realizuan atë plan që ne kemi sot përpara nesh. Mendoj se duhet të ndërmerret çdo përpjekje e mundshme që ky plan të funksionojë dhe të realizohet. Sepse ishte një plan i arritur mes forcave politike. Nëse do të ketë ndryshim në atë plan për të cilin është rënë dakord, kjo nuk është diçka që i përket qeverisë amerikane apo ambasadës amerikane. Këto ndryshime duhet të realizohen me marrëveshje midis drejtuesve politikë shqiptarë”, - deklaroi dje në konferencën për shtyp ambasadori amerikan.