E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Bruksel për konferencën "Ballkani drejt integrimit Evropian"

TIRANE-Kryeministri Berisha u nis sot për në Bruksel për të marrë pjesë në Konferencën me temë "Ballkani Drejt Integrimit Evropian", i cili organizohet më datë 11 Prill nga Grupi i PPE-së në Parlamentin Evropian. Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se kjo konferencë organizohet në kuadër të mbështetjes së gjatë dhe inkurajimit të fuqishëm që Grupi i PPE-së në PE u ka dhënë dhe u jep vendeve të Evropës Juglindore në procesin e integrimit.

Kryeministri Berisha merr pjesë në këtë Konferencë, i ftuar nga Kryetari i Grupit të PPE-së në Parlamentin Evropian, Joseph Daul, si folës kryesor në sesionin e parë me temë "Procesi i Stabilizim Asociimit: Eksperienca, Sfida dhe Mundësi".

Gjithashtu, konferenca do të trajtojë çështje që lidhen me progresin aktual dhe të ardhmen e integrimit evropian të vendeve të Evropës Juglindore, si dhe mbi mbështetjen evropiane për Ballkanin, në lidhje me promovimin e një bashkëpunimi të fortë rajonal.

Në këtë konferencë, e cila do të hapet nga Kryetari i Grupit të PPE-së në PE, eurodeputeti Joseph Daul, do të marrin pjesë dhe zv/kryetarët e Grupit Parlamentar të PPE-së, Gunnar Hokmark dhe Joannis Kasoulides, Kryeministri i Maqedonisë, Nicola Gruevski, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë Hercegovinës, Vjekoslav Bevanda, ish-Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, zoti Peter Sorensen, i Dërguar i Posaçëm i BE-së në Bosnjë Hercegovinë, eurodeputetët Elmar Brok dhe Eduard Kukan, etj.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›