E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsion me patentat e makinave, pranga 7 zyrtarëve

10/04/2012  Në hetim të lirë dhe 19 mjekë. Falsifikuan dokumentet për emigrantë

VLORE- Policia e Vlorës arrestoi dje shtatë persona të akuzuar për korrupsion. Të arrestuarit mësohet se janë implikuar në akte korruptive lidhur me dhënien e patentave për drejtim automjeti. Ndërkohë nën hetim të lirë po ndiqen dhe 19 mjekë nga ky qytet, të cilët kanë lëshuar raporte të parregullta për drejtim automjeti. Po kështu mes të ndaluarve ndodhen edhe ish-përgjegjësi i tatim taksave në këtë qytet, si dhe ish-krerët e Kryqit të Kuq në Vlorë.

Operacioni

Drejtoria e Policisë së Vlorës bëri publike rezultatet e operacionit të zhvilluar dje, i cili u finalizua me kapjen e shtatë personave. Nga Sektori kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë TASK FORCË në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Vlorë, pas një hetimi intensiv, duke aplikuar metodat speciale të hetimit, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Kolaps” i shtrirë në qarqet Vlorë, Fier, Tiranë dhe Gjirokastër. Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar 7 persona, ndër ta Kleanthi Vangjel Peçi me detyrë ish-Kryetari i Rajonit Nr. 3 në Bashkinë Vlorë (deri para 10 ditesh), aktualisht përgjegjës i tatim taksave në Bashkinë Vlorë, Dino Selmanaj, me detyrë Kryetari i Kruqit të Kuq Shqiptar, Xhevair Sami Basha, 51 vjeç me detyrë ish-kryetar i komisionit për pajisje me dëshmi aftësie për drejtim automjeti pranë Drejtorisë rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Vlorë, aktualisht me të njëjtën detyrë në DRSHTR rrugore Gjirokastër, si dhe Petrit Troka, ish-anëtar i Komisionit për Pajisje me Dëshmi Aftësie për Drejtim Automjeti pranë Drejtorisë rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Vlorë. Aktualisht me të njëjtën detyrë në DRSHT Rrugore Fier. Po kështu në pranga janë vënë dhe disa instruktorë autoshkollash.

Akuzat

Arrestimi i këtyre shtetasve, si dhe fillimi i procedimit penal në ngarkim të 19 mjekëve është kryer pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar që në bashkëpunim me njëri-tjetrin në më shumë se 22 raste të dokumentuara, kundrejt shumave të caktuara monetare falsifikonin dokumentet zyrtare për persona, të cilët nuk ishin të pranishëm, por emigrantë jashtë shtetit duke i pajisur ata me leje drejtimi. Procedurat për pajisje me leje drejtimi kryheshin nga vetë komisionerët, dhe punonjësit e Drejtorisë rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Vlorë.

Në ngarkim të këtyre shtetasve gjykata e rrethit gjyqësor Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “shpërdorim të detyrës”, “falsifikim i formularëve nga personi që ka për detyrë të hartojë formularin”, dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›