E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veriu, Kurti: Rrezik spastrmi etnik, Presidenti Topi të na ndihmojë në OKB

PRISHTINE - Sot, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti i dërgoi letër presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjagës, ku është paraqitur kërkesa për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë. Kurti i dërgoi leter dhe kyetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit, në të cilën i kërkohet mbështetja për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në lidhje me ngjarjet në Mitrovicë si dhe presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi te cilit i kerkohet te nise diskutimin në NATO dhe OKB rreth ngjarjeve në Mitrovicë.

Kurti-Jahjages: Shpallni gjendjen e jashtezakonshme ne Veri

Po ju shkruaj nga shqetësimi i thellë për atë që po ndodh në Mitrovicë.

Dhuna dhe terrori ndaj shqiptarëve në veri të Mitrovicës janë intensifikuar. Pardje, me eksploziv të sofistikuar u vra Selver Haradinaj dhe u plagosën e lënduan anëtarët e familjes së tij: gruaja dhe katër fëmijët. Dje, pika statike e policisë së Kosovës që u vendos atje nuk qëndroi as pesë minuta meqë u shkatërrua nga strukturat armiqërore e kriminale të Serbisë. Nën terrorin e përditshëm, duke qenë edhe të varfër e të papunë, shqiptarët në veri të Mitrovicës sot janë njerëzit më të rrezikuar në Evropë.
Gjendja në Mitrovicë është e jashtëzakonshme. Karshi kësaj gjendjeje nuk mund të sillemi në mënyrë të zakonshme. Pikërisht kjo sjellje është e jashtëzakonshme. Sjellja e zakonshme në një situatë që objektivisht është bërë e jashtëzakonshme, është e jashtëzakonshme. Kjo sjellje mund të tolerohet kur është e ndonjë qytetari, por kurrsesi nëse ashtu bëjnë institucionet e Republikës që kanë për obligim t’iu shërbejnë qytetarëve e t’i mbrojnë ata. Madje, vetë qytetarët janë të indinjuar e të frikësuar, por gjithnjë e më shumë edhe të dëshpëruar e të zhgënjyer, nga shpërfillja institucionale që po e përjetojnë teksa orvaten të mbijetojnë në këtë gjendje të jashtëzakonshme.

Duke u bazuar në nenin 84, pika 22, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju mund të shpallni gjendjen e jashtëzakonshme. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe si deputet i Kuvendit, Ju sugjeroj që ta shpallni gjendjen e jashtëzakonshme në Mitrovicë”.

Kurti kërkon seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për veriun

Letra e Albin Kurtit dërguar kryeparlamentarit të Kosovës ka këtë përmbajtje:
“Sulmet terroriste dhe kriminale të strukturave ilegale të Serbisë në veri të qytetit të Mitrovicës janë shtuar. Të dielën u vra Selver Haradinaj si dhe u lënduan gruaja e fëmijët e tij, kurse një ditë më vonë u shkatërrua pika statike e policisë së Kosovës atje. Qytetarët në Mitrovicë jetojnë në ankth sepse janë të kërcënuar e të pambrojtur. Është e domosdoshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në Mitrovicë”.

Topi të iniciojë diskutimin në OKB dhe në NATO “spastrimin e ri etnik në veri”

Në letrën dërguar presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, lideri i Vetëvendosjes kërkon të iniciojë për diskutim rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë, në organizata apo struktura ndërkombëtare si OKB dhe NATO:

“Tashmë është bërë e qartë situata e terrorit dhe rrezikut për spastrim të ri etnik në pjesën veriore të Mitrovicës. Siç e dini, Republika e Kosovës nuk mundet që këtë çështje ta iniciojë për diskutim në organizata apo struktura ndërkombëtare si OKB dhe NATO. Ndërsa Ju, si përfaqësuesi i Republikës së Shqipërisë dhe i shqiptarëve në OKB dhe NATO, mundeni që ta inicioni diskutimin mbi rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë...Ndihma Juaj në këto momente është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme.”, thuhet në letrën e Kurtit dërguar Bamir Topit”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›