E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ne Dumre Karrigia rruga e vetme e Rames

Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm në përurimin e rrugës Belsh – Fierzë - Kosovë, në zonën e Dumresë, me gjatësi 18 kilometra dhe investim me vlerë 353 milionë lekë. Nga kjo rrugë, përfitojnë 25 mijë banorë dhe ajo shërben si nyje lidhëse për gjithë zonën e Dumresë, duke shkurtuar dhe lehtësuar transportin e njerëzve dhe prodhimeve bujqësore drejt zonave urbane.

Kreu i qeverisë premtoi më shumë investime në infrastrukturë në rrjetin e ujësjellësve, kanalizimeve dhe vaditjes në katër vitet e ardhshme në të gjithë Shqipërinë, ndërsa theksoi se Edi Rama me alternativën “Rruga e vetme” nuk po paraqet asnje projekt konkret për qytetarët.

“Krahasa kësaj aleance që ka vënë në qendër qytetarin po qarkon nëpër Shqipëri aleanca e ‘Rrugës së vetme’. Ju e keni të qartë se cila ishte rruga e vetme: rruga e vetme ishte rruga e partisë, e cila e katandisi këtë popull në mjerimin më të thellë dhe në izolimin më të madh” tha Berisha.

Sipas kreut të qeverisë në katër vite Edi Rama ka asfaltuar në Tiranë gjithsej 12 kilometra, pavarësisht se në 4 vite është financuar nga qeveria 3 herë më shumë sesa nga qeveritë socialiste. Ai ftoi qytetarët  të marrim pjesë në votimet e 8 majit, të votojnë të lirë dhe të zgjedhin alternativën e “Aleancës për Qytetarin”, kandidatët e kësaj aleance.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›