E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Durrës: Luftuam korrupsionin

Kryeministri Berisha ka kërkuar edhe mbështetjen e grave gjatë konventës së mbajtur në Pallatin e Kongreseve


DURRËS- Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar votën e qytetarëve durrsakë gjatë prezantimit të 13 kandidatëve për deputetë.


Gjatë fjalës së mbajtur në qytetin bregdetar, Berisha përmendi arritjet, që, sipas tij, e çuan Shqipërinë në NATO dhe bënë që vendi të aplikonte për statusin e vendit kandidat në BE.

"Ne së bashku bëmë që në katër vjet Shqipëria të renditet më e mira në Ballkan dhe në 10-shen më të mirë në botë për luftën kundër korrupsionit.


Ne së bashku bëmë që Shqipëria të renditet e dyta në botë për klimën e biznesit, ne së bashku bëmë që Shqipëria të lërë mbrapa 126 vende të planetit. Çdo vlerësim që ne e kemi marrë e kemi në sajë të djersës, mundit, punës sonë",- tha ai.


Kryeministri Berisha shtoi se gjatë katër viteve mandat, qeveria që ai drejton dyfishoi pensionet në fshat, rrogat e arsimtarëve, infermierëve, mjekëve.


"Vetëm në rrethin e Kavajës dhe Shijakut, ne kemi asfaltuar 200 km rrugë. Ne u bëmë të besueshëm, sepse në këto katër vite asfaltuam, ndërtuam dhe rindërtuam në këtë vend, jo 1 mijë apo 2 mijë, por afërsisht 6 mijë km rrugë",- tha ai.


Në katër vitet e ardhshme, Berisha garantoi se për Durrësin dhe për Shqipërinë do të investohet së paku 8 herë më shumë nga sa më parë.


"Për mua Durrësi evropian dhe Shqipëria evropiane do të thotë para së gjithash qytetarët shqiptarë të punësuar, pensionistë shqiptarë të mirëpaguar, të rinj shqiptarë të mirëshkolluar, rrugët e Shqipërisë të gjitha të asfaltuara, do të thotë ujë 24 orë, do të thotë Shqipëria superfuqi e vogël energjetike, do të thotë që ne shqiptarët, që nisëm këtë rrugë 18 vite më parë me rrogat nga 4-6 dollarë në ditë, pas katër vitesh të parakalojmë 6 vende anëtare të BE-së",- tha ai.


Berisha dhe gratë


Po dje, Berisha ka çelur simbolikisht fushatën me gratë demokrate, në Pallatin e Kongreseve. "Fushata elektorale e Partisë Demokratike është çelur një vit më parë, në të gjitha tubimet e grave të Shqipërisë.


Gratë dhe vajzat, gjatë më shumë se një viti, mbushën sheshet, stadiumet dhe sallat me thirrjet e fuqishme, për fitore dhe me besimin e madh të fitores. Ndaj, edhe ky takim është vazhdimi i atyre",- tha ai.


Kryeministri Berisha ka premtuar se Kuvendi i ardhshëm do të ketë një përqindje më të lartë të femrave sesa Parlamenti i kaluar. "Unë i garantoj ato se brenda këtij mandati që jemi, jo në mandatin tjetër, do të përcaktojmë kuadrin e ri ligjor për t'i mbështetur me punësim dhe në të gjithë nevojat e familjes dhe të fëmijëve të tyre, për t'i mbështetur ato në hapjen e biznesit",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›