PD kundër kandidaturës së invalidit Omuri
Dy anëtarë të PD-së e kanë konsideruar dokumentacionin si joligjor dhe në kundërshtim me normat noteriale
TIRANË- Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të konkurrojë për një vend në Kuvendin e Shqipërisë edhe një kandidat i pavarur.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar mes debateve jo të pakta emrin e Abdulla Omurit si kandidat i pavarur në zonën zgjedhore të Qarkut të Tiranës.
Ai nuk është si gjithë kandidatët e tjerë, pasi vjen në këtë konkurrim si kandidat i pavarur nga asnjë forcë politike dhe si përfaqësues i shoqatës së Invalidëve të Punës dhe shoqatave homologe të personave me aftësi të kufizuar.
Por, miratimi i emrit të tij ka përçarë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka mundur të kalojë emrin e tij falë shumicës së votave, por me një votë të pastër kundër të dy përfaqësuesve demokratë, Vera Shtjefnit dhe Hysen Osmanajt, të cilët kanë mbështetur vendimin e tyre se kandidati Omuri nuk kishte plotësuar detyrimet ligjore, për të paraqitur deklaratat individuale të noterizuara të 7700 firmëtarëve që kanë mbështetur kandidimin e tij.
Të të njëjtit mendim kanë qenë dhe përfaqësuesit ligjorë të PD-së dhe PAD-së në KQZ, të cilët e kanë konsideruar dokumentacionin e paraqitur prej kandidatit të pavarur si joligjor dhe në kundërshtim me normat noteriale.
"Shpreh pasiguri në atë që është paraqitur në këtë dokumentacion, pasi ai nuk plotëson kriteret ligjore dhe firmëtarët nuk kanë bërë deklarata individuale para noterit", - tha përfaqësuesi demokrat Njazi Kosovrasti.
Por, sipas vetë kandidatit Abdulla Omuri, një pretendim i tillë nuk qëndron për vetë faktin se, së pari, administrata e KQZ-së dhe vetë KQZ-ja, në një mbledhje të mëparshme deklaroi se dokumentacioni ishte i rregullt dhe se i vetmi plotësim që duhej të bëhej kishte të bënte me paraqitjen e listës së firmëtarëve në versionin elektronik.
Gjithashtu, ai ka shpjeguar se aktet noteriale janë marrë në mënyrë individuale nga noteri, duke shkuar derë më derë në shtëpitë e të gjithë firmëtarëve.
"Këto që deklarohen këtu nga përfaqësuesit e disa forcave politike janë sofizma që kanë interesa të mbrapshta.
Nuk janë të rastit këto qëndrime, pasi nga përfaqësuesit e Aleancës Demokratike, dje mua më është kërkuar që të heq dorë nga konkurrimi", - tha kandidati Abdullah Omuri.
Në përfundim, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, e ka hedhur në votim, duke e miratuar emrin e kandidatit Omuri, me 5 vota pro dhe 2 kundër.