E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, nga 30 Maji vetëm shtetasit pa pasaportë

Kryeministri Sali Berisha zhvillon një takim me drejtuesit e konsorciumit "Aleat"


TIRANË - Nga data 30 maj e deri në fund të qershorit, nuk do të lejohet pajisja me kartë identiteti e atyre qytetarëve, që janë të pajisur me pasaportë.


Edhe pse nuk është një vendim qeverie, Kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar dje drejtuesve të konsorciumit "Aleat", gjatë një takimi të zhvilluar me këta të fundit, që të mos lejojë kryerjen e procedurave të aplikimit dhe prodhimit të letërnjoftimeve për shtetasit që zotërojnë pasaportë për jashtë shtetit dhe të gjitha kapacitetet teknike të fokusohen në pajisjen me letërnjoftime elektronike vetëm të shtetasve që nuk zotërojnë pasaportë.


Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që jo vetëm për pajisjen, por edhe gjatë procesit të shpërndarjes, prioritet t'i jepet sërish kësaj kategorie shtetasish.


"Për të siguruar një zbatim efikas të këtij prioriteti, qeveria dhe kompania koncensionare do bëjnë thirrje publike për ndërgjegjësimin e publikut",- thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave.


Kreu i ekzekutivit theksoi se ky angazhim do të monitorohet me seriozitet maksimal dhe se nëpunësit e shërbimit të gjendjes civile, që do të lejojnë pajisjen me letërnjoftim të personave që zotërojnë pasaportë, do të përballen me masa disiplinore.


Me qëllim përshtatjen e procesit të aplikimit me nevojat e qytetarëve, e, për rrjedhojë, rritjen e efikasitetit të këtij procesi, u ra dakord që orari ditor i punës së qendrave të aplikimit të ndahet në dy periudha, në ndryshim nga orari unik i zbatuar gjer më tani. Kjo çështje ishte edhe objekt i fjalës së Kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë.


"Kompania, në interes të këtij procesi, merr përsipër që ta ndajë orarin e punës në dy turne, paradite deri në orën 1 dhe pasdite nga ora 5 deri në orën 9 të darkës",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›