Greqia shpall pandeminë, 222 raste të virusit H1N1
Greqia ka shpallur pandeminë e gripit të derrave në kulmin e sezonit turistik, pas konfirmimit të gjashtë rasteve të reja të infektimit me virusin H1N1 dje, duke e çuar numrin të infektuarve në 222. Mes tyre edhe disa shqiptarë, një djalë 17 vjeç dhe një grua 36 vjeçe, të bërë publik deri tani. Prej 222 të prekurve, sipas autoriteteve greke të shëndetësisë, 102 janë kuruar plotësisht. Rritja e vazhdueshme e numrit të të infektuarve ka nxitur ekspertët e fushës të llogarisin se 33 për qind e popullsisë ka rrezik të preket nga gripi i derrave brenda tre muajve. Ministri grek i shëndetësisë, Dimitris Avramopoulos, ka kërkuar qetësi dhe vigjilencë, duke theksuar se tani Greqia ka një pandemi. Simptomat mbeten të njëjtat, ndërsa të gjitha agjencitë e shëndetësisë janë në gatishmëri për infeksione të reja, tha ministri grek i Shëndetit, duke theksuar se çdo gjë është nën kontroll. Avramopoulos tha se ka rezerva të mjaftueshme të ilaçeve anti-virale, ndërsa janë urdhëruar edhe 8 milionë vaksina të tjera. Plani strategjik i aksionit përfshin vaksinimin e katër milionë grekëve në tetor dhe shkurt. Prioritet do t’u jepen fëmijëve mbi një vjeç, studentëve, njerëzve nën moshën 30- vjeçare, të moshuarve mbi moshën 60-vjeçare dhe pacientëve me sëmundje kronike apo probleme serioze të shëndetit. Por së pari, ata që do të vaksinohen do të jenë vetë mjekët, infermierët, të gjithë anëtarët e stafit të spitaleve dhe njerëzit që punojnë me zogjtë. Në Greqi 78 për qind e infeksioneve kanë të bëjnë me udhëtarë, shumica nën moshën 30-vjeçare, megjithatë është shënuar një rritje e dukshme e infeksionit. Ministri grek tha se ekziston frika se mos shkalla e rritjes mund të arrijë në 54 për qind në vjeshtë, duke mos përjashtuar raste vdekjesh. “Pandemika do të vazhdojë nga 12-15 muaj, e më së largu në 2 vjet”, ka shtuar Avramopoulos. Ministria e Shëndetit ka njoftuar se shkollat dhe institucionet publike do të mbyllen vetëm nëse virusi pëson mutacion. “Kura kryesore për këtë grip mbetet ende shtrimi në spital, qetësia, pirja e shumë lëngjeve, në mënyrë që organizmi të mos dehidratohet dhe përdorimi i ilaçeve për uljen e temperaturës”, tha ai duke shtuar se ajo për të cilën kanë të gjithë më shumë nevojë është që të mos krijohet panik dhe këshilloi se higjiena personale, evitimi i vendeve me shumë njerëz dhe evitimi i kontaktit me njerëz të prekur nga virusi (kolla dhe teshtima), janë të domosdoshme. Nga 222 të infektuarit, për 22 prej tyre ka mbetur ende mister mënyra e infektimit, gjë që tregon se virusi i ri do të përhapet në popullsi.
Shqipëria, gati për gripin
Ministria e Shëndetësisë ka shprehur gatishmërinë për t’u përballuar me raste të mundshme të virusit A(H1N1), megjithëse në spitale deri tani nuk ka dhoma izolimi për pacientët që mund të preken nga ky lloj virusi. Ndërsa reanimacioni është në rindërtim, mjekët e infektivit kanë këshilluar nëpërmjet mediave qytetarët shqiptarë që të përgatiten për mundësinë e kapërcimit në kushte shtëpie të kësaj sëmundjeje. Sipas ekspertëve nuk përjashtohet ende mundësia që brenda pak javësh gripi të shfaqet edhe në Shqipëri, edhe në raste të futjes së virusit në mënyrë të fshehtë, për arsye të periudhës së inkubacionit të tij. Sipas Ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, tashmë ka nisur marrja e masave, që në rast të prekjes së Shqipërisë nga virusi A (H1N1) të frenohet përhapja e shpejtë dhe të zbuten simptomat. Pas rekomandimeve të OBSH-së, Ministria e Shëndetësisë njofton se ka marrë masa për forcimin e shërbimit shëndetësor përgjatë 24 orëve në pikat e kalimit kufitar. Punonjësit shëndetësorë të pikave kufitare janë udhëzuar për monitorimin e rregullt të udhëtarëve për sa i përket virusit.