Berisha në Elbasan: "Të luftojmë papunësinë e madhe"
Kryeministri Berisha ka theksuar luftën kundër papunësisë në Elbasan si prioritet të qeverisë dhe pushtetit vendor, gjatë takimit me përfaqësues vendorë të shtunën paradite në këtë qytet.
Duke evidentuar papunësinë si problemin themelor të qytetit, Berisha u shpreh se qeveria ndërmori përgjysmimin e taksave për biznesin e vogël si gjeneratori kryesor i punësimit. Ai shtoi gjithashtu se duhet punuar për materializimin e idesë së parkut industrial dhe duhet shqyrtuar mundësia e lehtësive të tjera fiskale që do të tërheqin investuesit dhe do të hapin vende të reja pune.
Gjatë diskutimit me përfaqësuesit vendorë, kryeministri vuri në dukje rritjen e buxhetit për pushtetit lokal si dhe evidentoi Elbasanin si një model pozitiv përsa i përket mbledhjes së taksave në Shqipëri. Ai nënvizoi se duhet të fillohen negociatat me firmat e mëdha që veprojnë në Elbasan për të ulur nivelin e ndotjes, duke vlërësuar njëkohësisht rolin e tyre të pazëvendësueshëm në ekonominë dhe punësimin për Elbasanin.