E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: "Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa zbatimi i ligjit"

Kryeministri Berisha ka ritheksuar të shtunën paradite vendosmërinë e qeverisë për të vendosur sundimin e ligjit, gjatë paraqitjes së planit rregullues së qytetit të Elbasanit. "Ose ligji dhe transparenca, ose mafia dhe korrupsioni. Qeveria nuk përkulet kurrë kur është fjala për zbatimin e ligjit, sado i dhembshëm të jetë zbatimi në raste të caktuara", - theksoi kryeministri gjatë fjalës së tij, në kontekstin e respektimit të kritereve ligjore për ndërtimet në zonat urbane.

Kryeministri Berisha vlerësoi konceptimin e planit rregulles jo si fasadë dhe bunker, por si instrument për zhvillimin ekonomik lokal, ku qytetarët dhe grupet e interesit shprehin opinionet dhe nevojat e tyre, duke e bërë kështu planin më të zbatueshem. Ai vlerësoi pjesëmarrjen e komunitetit në vendimmarrje për zhvillimin e urbanistikës së qytetit dhe mbrojtjen e interesave të grupeve të ndryshme sociale.

"Ky studim ka të veçantë faktin se është bazuar jo vetëm në "oponencën teknike" që parashikon legjislacioni, por mbi të gjitha në "oponencën e qytetarëve". Kjo garanton demokracinë si dhe qëndrueshmërinë e filozofisë së zhvillimit në tërësi", tha z.Berisha.

Kryeministri theksoi angazhimin e qeverisë që të thellojë reformat e decentralizimit sidomos atë fiskal, si dhe të bashkëpunojë me Bankën Botërore që të mbështeten investimet në infrastrukturën lokale. Ai nënvizoi rritjen e ndjeshme të buxhetit për pushtetin vendor si një dëshmi e vullnetit të qeverisë për decentralizim, duke premtuar rritjen e mëtejshme të tyre në vitet e ardhshme.

"Kjo qeveri i përmbahet parimit të transparencës dhe demokracisë së institucioneve. Ky është modeli në të cilën mbështetet qeveria që drejtoj. Ne po bëjmë përpjekje për një "qeverisje të ligjit" dhe jo të arrogancës. Qytetari qëndron në plan të parë për ne", shtoi z.Berisha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›