Qeveria miraton rishperndarjen e fondeve të papërdorura për përmirësimin e rrugëve, ujësjellësave dhe programet e turizmit
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e tij, të premten, vendimin për rishpërndarjen e fondeve buxhetore, miratuar për vitin 2005, të papërdorura deri tani. Rishpërndarja e tyre, tha kryeministri Berisha, bëhet me qëllim përdorimin e tyre për përmirësimin e rrugëve urbane kombëtare, sistemit të ujësjellës kanalizimeve dhe realizimin e programeve për zhvillimin e turizmit dhe strehimit, prioritete këto të programit të qeverisë.
VENDIM
PËR RISHPËRNDARJE FONDESH BUXHETORE, MIRATUAR PËR VITIN 2005
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 29, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, "Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit në Republikën e Shqipërisë", dhe të nenit 14, të ligjit nr.9339, datë 21.12.2004, "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2005", me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në buxhetin e miratuar për vitin 2005, për financimin e objekteve në proces, t'i shtohet fondi prej 190 000 000 (njëqind e nëntëdhjetë milionë) lekësh, i ndarë në programin "Infrastruktura urbane", 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, në programin "Ujësjellës kanalizime", 45 000 000 (dyzet e pesë milionë) lekë, në programin "Programe të turizmit", 20 000 000 (njëzet milionë) lekë, në programin "Strehimi dhe urbanistika", 20 000 000 (njëzet milionë) lekë, dhe në programin "Rrjeti i rrugëve nacionale", 95 000 000 (nëntëdhjetë e pesë milionë) lekë.
2. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për financimin e TVSH-së, për projektet me financim të huaj, t'i shtohet fondi prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh.
3. Fondet e përmendura në pikat 1 e 2, të përballohen nga pakësimet e fondeve, si më poshtë vijon:
- Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të ujërave në shumën 3 100 000 (tre milionë e njëqind mijë) lekë;
- Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, në shumën 8 000 000 (tetë milionë) lekë;
- Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në shumën 53 000 000 (pesëdhjetë e tre milionë) lekë; (në programe të grupeve 6 e 8, të ligjit nr.9339, datë 21.12.2004);
- Këshilli i Ministrave, në shumën 2 900 000 (dy milionë e nëntëqind mijë) lekë;
- Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në shumën 40 000 000 (dyzet milionë) lekë;
- Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në shumën 16 500 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë) lekë;
- Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në shumën 62 000 000 (gjashtëdhjetë e dy milionë) lekë;
- Ministria e Shëndetësisë, në shumën 24 500 000 (njëzet e katër milionë e pesëqind mijë) lekë;
- Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, në shumën 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë.
4. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë dhe aparati i Këshillit të Ministrave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
SALI BERISHA