E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Francë: Kriza ekonomike kërkon reforma

PARIS- Kryeministri Berisha ndodhet në Paris ku po merr pjesë në punimet e Seminarit “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”, i cili u çel nga kryeministri i Francës Fransua Fillon.

Në ditën e parë të punimeve të këtij Seminari, gjatë panelit me temë “Cilat janë fuqitë e reja?”, kryeministri Berisha bëri një prezantim të modelit liberal ekonomik të ndjekur nga qeveria shqiptare dhe reformat strukturore të bëra prej saj. Zyra e shtypit të kryeministrisë zbardh fjalimin, në të cilin kryeministri ka theksuar se kriza përballohet me reforma të thella. Ai u shpreh më tej se në kohë krize është i nevojshëm solidariteti mes qeverive.

"Unë besoj që duhet forcuar fibra kombëtare e reformave të çdo vendi dhe duhet proceduar me reforma të thelluara. Kjo është rruga e vetme e përballimit të krizës dhe e zhvillimi”, citohet të ketë thënë Berisha.

Duke folur për Shqipërinë, Berisha tha se, “qëllimi më madhor është të bëhet e gjelbër. Duke shpresuar që kjo do të jetë mënyra më e mirë e zhvillimit për këtë vend. Potencialet për t’u bërë të gjelbër janë të jashtëzakonshme, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Ndoshta nuk janë të lehta për t’u arritur, por janë jetësore dhe vendimtare. Shikoni Shqipërinë, një nga vendet më të vogla në Evropë, ka një potencial të pamasë të energjisë hidrike. Mund të ndërtojë më shumë se 443 hidrocentrale dhe ambicia ime është ta shoh atë si një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon...Ne po punojmë në burime të tjera të energjisë. Prandaj unë besoj se rruga e gjelbër është e ardhmja dhe mënyra më e mirë për vendin tim.

Gjatë prezantimit të panelit, kryeministri Berisha u vlerësua për përkrahjen që i ka bërë një sërë reformave të rëndësishme, që nga viti 2005 e në vazhdim.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›