E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Itali: Ambicia jonë, të jemi superfuqi energjetike

Verona, 11 shkurt, NOA - Ambicja kryesore e Shqipërisë
është që të kthehet në një superfuqi energjetike rajonale, që do të thotë se ajo
është e vendosur të vërë në përdorim të gjitha burimet që do ta shndërrojnë atë
në një eksportues të madh të energjisë. Një fakt të tillë mbi perspektivën
energjetike të vendit tonë, kryeministri Berisha e bëri me dijeni gjatë
pjesëmarrjes në Forumin mbi Investimet në Evropën Juglindore, në Verona, ku së
bashku me ministrin e Ekonomisë Claudio Scajola dhe zv/ministrin Adolfo Urso mbajti
një konferencë për shtyp.

Unë kam qenë përherë i bindur që Shqipëria
dhe rajoni i Ballkanit përfaqësojnë një treg me interes shumë të madh për
investitorët italianë. Ne, në Shqipëri jemi duke bërë gjithçka, jemi duke
aprovuar çdo ligj, jemi duke marrë e aprovuar çdo vendim për të krijuar klimën
më të favorshme për investimet e huaja në të gjitha fushat. Ne kemi vuajtur nga
kriza ekonomike botërore, por nuk shkuam në recesion ekonomik, mësohet të jetë
shprehur Berisha gjatë saj.

Ndërkaq, lidhur me interesin e mediave
italiane për vizionin e dy qeverive për tiu kthyer energjisë nukleare, kryeministri
Berisha u shpreh se vizioni i qeverisë shqiptare për ta kthyer vendin në një
eksportuese të energjisë, pritet të mbështetet edhe nga sipërmarrjet italiane.

Ndërsa Scajola do të shprehej se Italia
përfshihet  në projektet nukleare, sepse beson në to.

Dhe ashtu siç po orientohen vendet në të
gjithë botën, ajo beson se energjia e pastër për të mbrojtur ambientin dhe
energjia me kosto të qëndrueshme në Evropën qendrore do të thotë rikthim në
energji nukleare për prodhimin e energjisë elektrike për përdorim civil. Po
ndodh në të gjitha vendet. Janë aktualisht 60 projekte në botë në rrugë për të
marrë autorizimin. Italia është i vetmi vend i G8 - ës që nuk prodhon energji
elektrike nga burimet nukleare. Kemi ndërmend ta prodhojmë vetë atë duke
rikuperuar traditën tonë teknologjike dhe industriale në bashkëpunim me
Francën, SHBA-në dhe Rusinë, tha më tej ai.

n.e/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›