E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poni: Kartat e identitetit, sipas standardeve cilësore

Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinant Poni në prani të përfaqësuesve të ambasadave të BE, të cilët vizituan Qendrën e Personalizimit të Dokumenteve Elektronike dhe Pasaportave Biometrike, ka vlerësuar cilësinë e letërnjoftimeve elektronike. Duke i krahasuar me dokumentet e francezëve, amerikanëve apo anglezëve, Poni ka theksuar se kartat e reja të identitetit në Shqipëri janë më cilësore. "Tashmë, shqiptarët kanë mundësinë që ti disponojnë këto dokumente, në mënyrë që kur të paraqiten pranë përfaqësive të vendeve të ndryshme për t'u pajisur me vizë, gjë për të cilën shpresojmë të mos jetë më e nevojshme, të paraqiten me një dokument sipas standardeve", u shpreh Poni. Duke vlerësuar vizitën e përfaqësuesve të ambasadave të BE-së në këtë Qendër, Poni shtoi se me këtë infrastrukturë, Shqipëria plotëson një nga detyrimet, sikurse është edhe liberalizimi i  vizave. Vizita në këtë qendër e përfaqësive diplomatike të ambasadave të vendeve të BE-së në Tiranë, është bërë sipas kërkesës së të gjitha ambasadave të BE-së, për t'u njohur dhe për ta parë nga afër prodhimin e dokumenteve elektronike, në përputhje me standardet e sigurisë. Përshtypja e përgjithshme për një sistem solid dhe të integruar, për standarde shumë të larta të sigurisë së dokumenteve, sistemit të integruar dhe atij të prodhimit, do të reflektohet në kancelaritë e shteteve, që përfaqësohen nga këta konsuj, u shpreh Poni, i cili vlerësoi punën e bërë në funksion të plotë me të gjitha parametrat e sigurisë së prodhimit të dokumenteve të identitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›