E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Kopenhagën: Prioritet energjia e gjelbër

Në fjalën e mbajtur në seancën e këtij Samiti, kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare i konsideron ndryshimet klimatike si një prej kërcënimeve më serioze me të cilën përballet planeti ynë dhe një prej çështjeve më komplekse që duhet trajtuar me vendosmëri dhe efikasitet. Berisha theksoi se qeveria shqiptare ka integruar ne Strategjinë e saj te Zhvillimit Kombëtar parimin e zhvillimit te qëndrueshëm, si dhe nxitjen e teknologjive te gjelbra duke synuar drejt një ekonomie pa karbon. “Objektivi i qeverisë sime është ta kthejë Shqipërinë në një superfuqi të vogël prodhuese të energjisë së gjelbër në rajon. Aktualisht rreth 95% e burimeve dhe konsumit të energjisë së vendit tim vjen nga energjia hidrike. Potencialet hidrike janë shumë të mëdha. Më shumë se 2/3 ngelet për t’u shfrytëzuar. Në këtë kontekst, ne planifikojmë të ndërtojmë rreth 440 hidrocentrale me një fuqi totale prej, së paku 20 miliardë kilovatore. Janë firmosur kontrata për rreth 130 prej tyre”, tha ndër të tjerash Berisha.Ai shtoi më tej se Shqipëria ka një bregdet të gjerë me rreth 400 kilometra, çka favorizon prodhimin e energjisë së erës. “Ka platforma te mëdha ere, dhe ne po përpiqemi të inkurajojmë prodhimin e energjisë së erës. Deri tani janë licensuar mbi 2000 MW parqe eolike, mijëra te tjera janë ne studim e sipër. Së bashku, energjia hidrike, e erës dhe biomasa bëjnë më shumë se 5 bilion Euro kontrata të nënshkruara si koncensionar”, vijoi kreu i qeverisë shqiptare.                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›