Zyrtarë pa makina, Kushtetuesja hap gjykimin
17/12/2009 Ankimi nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë
Gjykata Kushtetuese do të nisë sot shqyrtimin e kërkesës ankimore të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë për heqjen e makinave të zyrtarëve. Ky projekt parashikon heqjen e makinave dhe dhënien për transportin e zyrtarëve një bonos që kap shifrën maksimale 45 000 lekë në muaj dhe minimale 15 000 lekë. Në kategorinë e parë përfshihen funksionarët më të lartë të shtetit dhe politikës, që u caktohen automjet dhe shofer në dispozicion të përhershëm, shpenzimet e të cilëve përballohen nga buxheti i institucionit përkatës, ku përfshihen kryetari i Gjykatës së Lartë, kryetari i Krimeve të Rënda dhe kryetari i Apelit të Krimeve të Rënda. Këta funksionarë, me përjashtim të Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, nëse dëshirojnë t’i përdorin ato edhe për qëllime që nuk lidhen me funksionin që ushtrojnë (në ditë festash zyrtare, fundjavave, lejeve vjetore), duhet të derdhin në drejtoritë e përgjithshme të financave një shumë prej 50 000 lekë në vit. Për çdo deputet masa e përfitimit financiar mujor u miratua para një jave me vendim të Kuvendit në bazë të distancës me zonën që ai përfaqëson, nga 37 000 deri në 57 000 lekë në muaj. Ata që përfitojnë financiarisht çdo muaj nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga shërbimi i transportit që ofrohet për administratën. Në këtë kategori përfshihen gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, kryetari i gjykatës shkallës së parë dhe kryetar i Gjykatës së Apelit. Uninoni i Gjyqtarëve kërkojnë shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të pikës 1 dhe 2 të nenit 2, nenit 3, nenit 4 të ligjit nr.10160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë” dhe pezullim të pikave 1 dhe 2 të nenit 2, nenit 3, nenit 4 dhe nenit 6 të këtij ligji.
Makina të reja
Qeveria shqiptare do të shpenzojë para për blerjen e makinave të reja, që nuk konsumojnë shumë. Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar ministrit të Financave Ridvan Bode që të vërë në dispozicion një fond për blerjen e makinave më të mira dhe më të lira, të cilat konsumojnë më pak. “Operacioni me veturat do të shtrihet më thellë, në kuptimin që do të disponohet një fond me të cilin do të blejmë veturën më të mirë dhe më të lirë dhe që konsumon më pak, sepse është interesi më i mirë. Duhet të jemi rigoroz, përveç veturave të krerëve të institucioneve kushtetuese dhe ministrave të tjerat do të jenë vetura që konsumojnë minimumin e mundshëm të benzinës”, - tha ai.