E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ne Korce Qeveria do te nise ndertimin e muzeut te artit mesjetar

Kryeministri Berisha vizitoi sot Kishën Ortodokse dhe atë Katolike në Korçë, me rastin e Ditës së Pashkës. Kryeministri i përcolli të gjithë besimtarëve të krishterë dhe të gjithë besimtarëve shqiptarë urimet e tij më të përzemërta, për këtë ditë të shënuar për ta. Në urimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Është rasti të shpreh urimet e mia më të përzemërta për të gjithë besimtarët ortodoksë dhe katolikë korçarë, por edhe për të gjithë besimtarët e krishterë të mbarë Shqipërisë dhe besimtarët e Zotit në Shqipëri, në këtë ditë të madhe, ditë të bekuar, ditën e ngjalljes së Krishtit, ngjalljes së përjetësisë, besimit, shpresës, mirësisë. Ditë kjo, që frymëzon njeriun për një përpjekje të vazhdueshme, për një besim të palëkundur tek Zoti, tek vetja, tek e ardhmja. Shpreh kënaqësinë të festojmë këtë vit Pashkën më mirë se kurrë, më europiane se kurrë, me lëvizje të lirë pa viza, që përbën një arritje të jetës sonë. Gjithashtu, shpreh kënaqësinë që festojmë në një fushatë zgjedhore, e cila përbën edhe kjo një zhvillim të rëndësishëm për demokracinë shqiptare dhe për demokracinë e vendit. Ndaj edhe formuloj urimet e mia më të përzemërta për të gjithë shqiptarët. Pata kënaqësinë të informoj udhëheqjen shpirtërore të Kishës Ortodokse të Korçës, se vitin që vjen, qeveria do të nisë ndërtimin e muzeut të artit mesjetar dhe të liroi menjëherë të gjitha mjediset që i përkasin kishës që janë të domosdoshme dhe kisha është e vendosur t’i rikthejë ato në identitetin e tyre.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›