Berisha në Kroaci, takimi për ekonominë
Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje që Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim të financonte në Shqipëri projekte që lidheshin me parqet industriale dhe sektorë të tjerë, të cilët krijojnë punësim të madh. Këtë kërkesë Berisha e bëri gjatë pjesëmarrjes së tij dje në takimin e 19-vjetor të BERZH-it të zhvilluar në Zagreb të Kroacisë. Në përfundimin e takimit, kreu i qeverisë deklaroi se ai i kishte njohur të pranishmit me përpjekjet e mëdha të qeverisë shqiptare për të parandaluar ose për të zvogëluar pasojat e një krize globale të paprecedentë, që nga vitet ‘30 të shekullit të shkuar. “Unë informova të pranishmit se disa nga pasojat e shfaqura nga fundi i vitit 2008 deri në vitin 2009, tani po zhduken tërësisht ose janë në zhdukje e sipër”, deklaroi Berisha. Në këtë kuadër Berisha theksoi se Shqipëria ka një mbidyfishim të eksporteve të prodhuara në vend. Po kështu, Berisha theksoi se një atmosferë qartësisht pozitive shfaqet edhe në lidhje me bankat e vendit. “Në sistemin tonë bankar është një situatë realisht, qartësisht pozitive. Bankat tona janë plotësisht likuide, raporti kredi dhe depozita është 0.6 për qind, pra jo më shumë se 60 për qind e depozitave janë kredituar, çka do të thotë se është një ndër raportet më të mira”, theksoi Berisha. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë foli edhe për kërkesat që ai u kishte bërë përfaqësuesve të BERZH-it. Sipas tij, ai kishte kërkuar që BERZH-i të ndihmojë për projekte rajonale, siç është korridori aziatik-jonian, Korridori i 8, mbi gazsjellësit e mëdhenj dhe projektet e tjera, të cilat i bëjnë shkëmbimet rajonale më të mundshme. Po kështu Berisha kërkoi që të intensifikohen kreditë e BERZH-it për sektorin privat. “Kërkova gjithashtu që BERZH-i të financojë edhe në projekte të tjera, veçanërisht në parqe industriale dhe në sektorë që krijojnë punësim të madh”, theksoi Berisha.
#