Shpërndan fotot ajrore të mitingut të PS-së
Dje ka rënë në sy fakti se zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme ka shpërndarë në kohë reale foto nga mitingu i Partisë Socialiste. Përmes postës elektronike janë dërguar disa foto ajrore ku shikoheshin protestuesit e opozitës, të cilët mblidheshin përpara tribunës së improvizuar përpara godinës së Këshillit të Ministrave. Kjo nuk është e vetmja surprizë e ditëve të krizës politike, pasi diçka e tillë u vu re edhe pak kohë më parë. Zyra e shtypit të Partisë Demokratike shpërndau edhe njoftimin e Partisë Socialiste Europiane që fliste për situatën politike dhe grevën e deputetëve. Ndonëse të shpërndara për qëllime krejt të ndryshme, njoftimet e Ministrisë së Brendshme dhe Partisë Demokratike kanë “ndihmuar” punën e zyrës së shtypit të Partisë Socialiste. Këto veprime duket se janë risitë e fundit të krizës politike që në fillimet e saj shfaqi konferencat e shumënumërta të shtypit. Mbetet për t’u parë në javët në vijim se çfarë mund të na shpalosë konflikti politik mes pozitës dhe opozitës.
#