E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesila Doda: Rama do pushtet në tavolinë

Intervistë me deputeten e Partisë Demokratike. “Veprimet e tij janë anormale”

Deputetja demokrate, Mesila Doda, deklaroi dje për “Shqip” se në pikën ku jemi do duhet t’i drejtohemi ndonjë mjeku psikiatër, sepse vetëm ai do mund të parashikonte veprimet anormale të kryetarit anormal të Partisë Socialiste. “Unë merrem me politikë jo me parashikime veprime skizofrenësh”, theksoi Doda.

Zonja Doda, opozita ka paralajmëruar përshkallëzimin e protestave, ndërkohë ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për zgjidhje përmes dialogut. Si e shikoni ju situatën aktuale?

Me një fjalë do ta vlerësoja “Mësojmë, punojmë, jetojmë si në rrethim”. Sigurisht, filozofia puniste që e inspiron partinë e socialistëve të vjetër e të rinj, i çon medoemos të shohin e të vlerësojnë armiqësisht çdo prani e vlerësim të strukturave ndërkombëtare. Gjatë gjithë kohës së tensionit politik të pazakontë kemi pasur gatishmëri për kompromis nga ana e Partisë Demokratike, si në respektimin e propozimeve të ardhura nga Këshilli i Europës dhe në gjetjen e rrugëve për zgjidhjen e çdo momenti tensioni në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Këmbëngulja në vetizolim e socialistëve, tashmë është e njohur për të gjithë opinionin. Europarlamentarët, komisionerët, ministrat, kryeministrat, të gjithë personalitetet ndërkombëtare këshillojnë logjikën, debatin parlamentar dhe normalitetin, socialistët i kanë shpallur të padëshirueshëm...nuk më habit kjo sjellje, thjesht më sjell ndërmend citatet idiote të kohës së Enverit. Kjo ndjesi është tejet e trishtueshme të jetohet në vendin tim 20 vjet pasi kemi përmbysur diktaturën. është tejet e shëmtuar që një parti politike e fuqishme të ketë ende reminishenca të tilla të frikshme.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në deklaratat e tij publike, ka shprehur gatishmërinë për zgjidhjen e ngërçit politik, por duke nënvizuar se zgjidhja është vetëm transparenca e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit përmes hapjes së kutive të votimit. Cili është qëndrimi i mazhorancës në lidhje me kërkesat e opozitës?

Tanimë nuk ka foshnje që ende nuk e ka kuptuar që Edi Rama do vetëm pushtetin e marrë në tavolinë. Nëse do të donte transparencën, do të linte deputetët socialistë të vinin në komisionin hetimor, do t’i ishte drejtuar Komisionit të Venecias për mundësitë ligjore për zgjidhjen e situatës e nuk do t’i mbyllte me kyç deputetet e deputetët socialistë, në çadrat e tipit otoman që shëmtisht ngrihen në rrugë të madhe. Këtu jemi në momentin ku qytetarët presin se kush do jetë ëndrra e përçartja e fundit e një të marri. Përballë kësaj, unë mund veç të ripërsëris qëndrimin tonë konstant, në respekt të ligjit dhe Kushtetutës. Ju më thoni se si do mund të zgjidhej kjo situatë? Në këtë pikë do duhet t’i drejtoheni ndonjë mjeku psikiatër, sepse vetëm ai do mund të parashikonte veprimet anormale të kryetarit anormal. Unë merrem me politikë, jo me parashikime veprime skizofrenësh.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, dhe eksponentë të tjerë të selisë rozë, kanë lëshuar më parë një sfidë për Kryeministrin Berisha, duke i thënë se kërkonin vetëm hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. A do të ishte zgjidhje një rrugë e tillë?

E kam dëgjuar shpesh zotin Ruçi të shprehet si bizozxhi kur flet për politikë. Sigurisht që është evolucion jo i vogël të modifikosh artikulimin nga ai i shokut sekretar së Partisë së Punës në një pokerist virtuoz, por mendoj se politika nuk është as arti i blofit dhe as ai i hokatarëve të atypëratyshëm. është mbi të gjitha veprimtari në respekt të ligjit e të Kushtetutës së vendit, në dobi të qytetarëve të vendit tënd. Kësisoj, mendoj se nuk ka ndonjë vlerë të madhe të komentojmë blofe pokeristësh që përfundojnë me propozimin: “E shkelim a s’e shkelim Kushtetutën ....Hajde ta shkelim të dy bashkë....”.

Zonja Doda, një prej gjashtë kërkesave të deputetëve grevistë të PS është edhe transparenca në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Presidenti dekretoi tre emra dy ditë më parë për në Kushtetuese, teksa opozita ka kërkuar votim të cilësuar. çfarë do të ndodhë me këto dekrete?

Mazhoranca nuk ka asnjë votim për të lejuar e për të mos lejuar përveç atyre që janë të shprehura në ligjin bazë të shtetit shqiptar. Pikërisht në Kushtetutën e Shqipërisë, e cila është e propozuar dhe miratuar në kohën e mazhorancës socialiste, janë të shprehura qartë kriteret dhe ligjet që votohen me shumicën absolute të anëtarëve të Parlamentit. Ne do vazhdojmë të respektojmë Kushtetutën e Shqipërisë edhe në këtë pikë. Kemi tendencën e përsëritjes së një sëmundjeje të vjetër të komunistëve të rinj: marrëveshjet politike duhet medoemos të zëvendësojnë ligjin. Këta zotërinj duhet ta fiksojnë njëherë e mirë që Baba me gjithë çunat partizanë kanë kohë që kanë vdekur, tani në Shqipëri sundon Ligji dhe vetëm Ligji. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë marrëveshje politike në kurriz të garantit ligjor të qytetarëve. Mbi të gjitha, këta njerëz duhet të ndërgjegjësohen që rroga merret kur punon dhe po ndenje pa punë e pa bukë, nuk djersin e nuk meriton as rrogën e as votën. Për sa kohë të rrinë pa ardhur në punë e të shtojnë ide atentatesh ndaj shtetit ligjor, askush prej tyre nuk meriton një konsideratë serioze.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›