E Diel, 1 Nëntor 2026

Bullgaria, Mladenov: Gjeni zgjidhje për situatën politike

Mesazhi Kryediplomati i Bullgarisë zhvilloi në Tiranë takime me Topin, Metën, Topallin dhe Ramën

Ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nickolay Mladenov, zhvilloi dje në Tiranë takime me krerët më të lartë të vendit. Fillimisht Mladenov bashkëbisedoi me homologun e tij, Ilir Meta. Homologët theksuan në konferencë se ky takim do të sillte edhe intensifikimin e marrëdhënieve mes Bullgarisë dhe Shqipërisë. Por ministri i Jashtëm bullgar foli edhe për situatën politike në vend, duke theksuar në fjalën e tij se kriza politike zgjidhet nëpërmjet dialogut në Parlament dhe jo në rrugë. “U bëjmë thirrje liderëve dhe forcave politike shqiptare në Parlament që të gjejnë një zgjidhje për situatën e tanishme. Një zgjidhje kjo që të jetë në përputhje si me transparencën ashtu edhe me Kushtetutën dhe legjislacionin shqiptar”, deklaroi ai, duke shtuar se shpresonte që në javët e ardhshme ky dialog mes qeverisë dhe opozitës do të mundësohet. I të njëjtit qëndrim u shpreh dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta, duke theksuar se mazhoranca ishte e hapur për transparencë në kuadër të ligjit dhe Kushtetutës. Po dje, ministri i Jashtëm i Bullgarisë u takua edhe me Presidentin Bamir Topi. Presidenti Topi bëri një përshkrim të situatës politike aktuale dhe të disa reformave kryesore të ndërmarra në vend, si ajo në gjyqësor dhe përmendi sfidat me të cilat përballemi për përmbushjen e aspiratave integruese të popullit tonë. Në këtë aspekt, kreu i shtetit, pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Bullgaria, “e cila shërben si pikë referimi për ne në disa këndvështrime si vend anëtar i NATO-s dhe BE-së” i ka dhënë përmbushjes së aspiratave integruese të Shqipërisë në strukturat euroatlantike dhe përgjatë rrugëtimit të saj drejt gjirit të familjes së madhe europiane e falënderoi ministrin Mladenov për qëndrimin dhe pozicionin e palëkundur bullgar për çështjen dhe njohjen e shtetit të ri të Kosovës. Sakaq, Nickolay Mladenov zhvilloi një takim edhe me kryeparlamentaren Topalli. Gjatë këtij takimi, ministri i Jashtëm u shpreh për rëndësinë e madhe që ka diskutimi dhe bashkëpunimi mes forcave politike në Parlament. Po kështu, Mladenov zhvilloi një takim me kreun e PS-së, Edi Rama. Pas takimit me Ramën, ministri i Jashtëm i Bullgarisë theksoi se shpresonte se midis opozitës dhe mazhorancës mund të krijohet një kompromis, i cili të mbështetet si në parimin e transparencës dhe në parimin e ligjshmërisë për të gjitha vendimet.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›