E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëse ska zgjidhje, dalim nga çadrat vetëm me barela

Në ditën e 14 flasin deputetët grevistë Artan Gaçi, Pirro Lutaj dhe Armando Subashi

Deputetët grevistë të Partisë Socialiste shprehen të bindur se do të dalin nga çadrat vetëm me barela, nëse nuk do të ketë një zgjidhje përballë kërkesave të tyre. Të pyetur nga “Shqip”, Artan Gaçi, Pirro Lutaj dhe Armando Subashi komentuan zhvillimet në prag të protestës së 14 majit.

Artan Gaçi
Deputet i Tiranës

Pa asnjë diskutim që do të arrihet një zgjidhje. Kjo nuk mund të vihet në dyshim. Unë personalisht së bashku me një grup shumë të madh këtu në grevë urie jemi të bindur se kjo protestë e mbështetur nga të gjithë shqiptarët, kjo energji shumë e madhe e harxhuar nuk ka për të shkuar dëm. Kjo sakrificë që ne së bashku me shumë e shumë të tjerë që po protestojnë kudo, e motivuar nga kërkesa të drejta dhe tërësisht legjitime, nuk do të vonojë të na japë të drejtën tonë që mohohet sot nga pushteti. Nuk mund të them se zgjidhja do të vijë, sot, nesër, pas një muaji. Unë di të them me siguri se zgjidhja e krizës përmes respektimit të pikave të parashtruara nga opozita është e vetmja alternativë për të gjithë. Sa i përket masave që mund të merren, nëse qeveria vonon të përgjigjet, ato i përmbahen disa varianteve. E rëndësishme është që sakrifica jonë të mos banalizohet dhe as të mos shkojë dëm. Ne jemi të vendosur që të qëndrojmë deri në përmbushjen e kërkesave dhe kjo besoj është edhe thelbësore në mesazhin që i përcjellim edhe palës tjetër, por edhe opinionit shqiptar.

Pirro Lutaj
Deputet i Fierit

Sigurisht që duhet të kemi parasysh se është dita e katërmbëdhjetë e grevës së urisë dhe nuk mund të flitet për një gjendje të përsosur shëndetësore. Tani sapo u nis për në spital edhe grevisti i 33-të, i cili u dërgua në QSUT për shkak të përkeqësimit të shëndetit. Për sa i përket protestës së sotme ju siguroj juve, por edhe përfaqësuesit e Gestapos në qeveri se me protestat tona një zgjidhje patjetër që do të gjendet. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë qëndrimin tonë këtu, deri në plotësimin e kërkesave tona që janë të drejta dhe legjitime. Tërheqja jonë nga kjo kauzë nuk mund të konsiderohet për asnjë moment si alternativë.

Armando Subashi
Deputet i Fierit

Gjendja fizike është rënduar dhe siç mund ta dini kjo mund të merret me mend edhe nga numri i lartë i atyre që i janë drejtuar QSUT-së. Pavarësisht kësaj situate të rënduar duhet të them se të gjithë këtu janë të vendosur që të dalin këtej jo me këmbët e tyre, por me barela. Pra vetëm atëherë kur stafi mjekësor që asiston grevistët të vendosë se vijimi i saj është i rrezikshëm për jetën. Gjithsesi nuk mund të rri pa përmendur faktin se sikurse është bërë e njohur, ata që janë shtruar në spital, janë kthyer sërish, çka padyshim dëshmon për moralin e lartë të pjesëmarrësve. Protesta e sotme besoj se është një rikonfirmim i mbështetjes mbarëpopullore që ekziston tanimë për këtë grevë urie që po zhvillohet për kërkesa të drejta dhe të patjetërsueshme në qëllimin e vet. Mendoj se kjo protestë është një gur më shumë në murin e madh që ne po ndërtojmë përditë. Për sa i përket zgjidhjes së kësaj krize, jam i bindur se ajo do të arrihet pa asnjë diskutim. Ndoshta jo sot, sepse sikurse lexuam në shtyp Kryeministri është larguar jashtë shtetit. Pra jo sot, ndoshta nesër, pasnesër, por koha nuk ka rëndësi thelbësore. Rëndësi ka që ne jemi të bindur se zgjidhja do të vijë, fillimisht përmes një marrëveshjeje politike mes palëve, që në vetvete do të hapë rrugën për realizimin e reformave që ende mungojnë në këtë vend. Një marrëveshje që do të përfshijë patjetër kërkesat e shprehura prej nesh. Duhet kuptuar pra, se ne nuk presim një marrëveshje që vetëm të na nxjerrë ne nga greva e urisë, por për një marrëveshje politike që do të ofrojë një dalje nga kjo situatë, duke përqasur perspektivën për reforma dhe ndryshime reale në Shqipëri.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›