Kushtetuta nuk e pengon hapjen e kutive
Asambleja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, me anë të një deklarate, theksoi se Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk e pengojnë komisionin hetimor që të këqyrë dhe të shqyrtojë dokumentacionin zgjedhor përfshirë këtu edhe fletët e votimit. “Ne mendojmë gjithashtu se veprimi i mësipërm nuk cenon ndonjë parim kushtetues siç mund të ishte pavarësia e gjyqësorit. Ato do të cenoheshin nëse në objektin e hetimit do të parashikohej shqyrtimi dhe vlerësimi i bazueshmërisë ligjore të vendimeve të KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit”, argumenton në këtë deklaratë. Po kështu KSHH thekson se pengesë për dialogun dhe zgjidhjen e çështjes është mungesa e vullnetit politik. “KSHH është i bindur se ekzistojnë mundësitë për dialog. Në një vend demokratik, siç jemi ne, kundërshtarët politikë nuk janë armiq. KSHH mendon gjithashtu se për arritjen e dialogut është i domosdoshëm predispozicioni i të dyja palëve, por do të ishte e rekomandueshme që në këtë drejtim, nisma të merrej nga mazhoranca qeverisëse”, theksohet në deklaratë. Po kështu përfaqësuesit e KSHC-së theksojnë se gjuha e urrejtjes mes palëve duhet të marrë fund.
#