Berisha në Kuçovë i drejtohet Ramës: “Humbja dhe fitorja janë për burrat”
Kryeministri Berisha zhvilloi dje paradite një takim me qytetarë të Kuçovës. Gjatë fjalës së mbajtur para banorëve të këtij qyteti Berisha i është drejtuar sërish kryetarit të PS-së, duke e ftuar atë të futet në garën e 28 qershorit. “Në emrin tuaj i bëj thirrje edhe njëherë kryetarit të Partisë Socialiste: çlirohu nga kompleksi i humbjes, sepse edhe humbja, edhe fitorja për burrat janë. Eja dhe regjistrohu në listë, në përputhje me parimin më themelor të pluralizmit. Nuk mund të nisësh në betejë mbështetësit e tu dhe vetë t’ia mbathësh. Kjo nuk pranohet. Dil në krye të listës. Unë jam gati të mbledh Parlamentin, të ndryshoj ligjin, të krijoj të gjitha kushtet, ashtu si t’i duash, mjafton që ti të vendosesh në krye të listës së socialistëve”, - është shprehur Berisha. Më tej gjatë fjalës së tij kryetari i PD-së pasi renditi disa nga arritjet e qeverisë së tij gjatë këtyre katër viteve kërkoi votën e qytetarëve të Kuçovës për një mandat të dytë të PD-së në mënyrë që reformat të vazhdojnë. “Ne jemi sot këtu për t’u zotuar para jush se do të asfaltojmë çdo rrugë e rrugicë të këtij qyteti, komunave dhe rrethit tuaj, si dhe të mbarë Shqipërisë. Qytetare dhe qytetarë të Kuçovës, për Kuçovën europiane dhe Shqipërinë europiane, kusht vendimtar është që ju të gëzoni ato të drejta, kushtet dhe perspektivën që gëzojnë edhe qytetarët e vendeve anëtare të BE-së. Ndaj unë jam sot, këtu, për t’u zotuar para jush që katër vitet që vijnë pagat dhe pensionet tuaja e të mbarë shqiptarëve do të parakalojnë pagat e pensionet e 6 vendeve anëtare të BE-së. Qëllimi ynë është pensione e paga të larta për ju dhe mbarë shqiptarët. Katër vitet që vijnë do të jenë vitet, në të cilat ne do të garantojmë ujin 24 orë në Kuçovë e mbarë Shqipërinë. Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e punësimit masiv të shqiptarëve”, - është shprehur Berisha, ndërsa u ka bërë thirrje të gjithë banorëve që pavarësisht bindjeve politike të aplikojnë për të marrë kartën e identitetit në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme.
8 Qershor 2009