E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: “Nuk i mohojmë dublikimet, por do të verifikojmë gjithçka



Pasi në media janë publikuar rastet e gjetjes së emrave të dubluar në listat e zgjedhësve, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, mohon të jetë ekzistuese një problematikë e tillë. I pyetur nga mediat për këtë çështje ministri Nishani tha se bëhet fjalë për një rast të vetëm, i cili më parë rezultonte i regjistruar katër herë dhe për shkak të sistemit mbetet ende i dubluar. “Të gjitha rastet mund të identifikohen, do të jenë objekt i një verifikimi. Nga informacionet paraprake që kam nga Drejtoria e Gjendjes Civile, bëhet fjalë për një person të vetëm, i cili ka ekzistuar më parë 4 herë”, - u shpreh Nishani.
Mediat dje dhe sot kanë publikuar dhe provuar duke klikuar në faqen elektronike zyrtare të Ministrisë së Brendshme, duke faktuar emra votuesish të dubluar. Të paktën 10 persona rezultojnë në komunën Surroj dhe në bashkinë e Kamzës. Një problem i tillë risjell në vëmendje defektin kryesor që kanë shoqëruar të gjitha zgjedhjet në Shqipëri, atë të listave të votuesve. Duke folur për çështjen e kartave, ministri Nishani publikoi të tjera udhëzime për t’i ardhur në ndihmë procesit. Ministri garantoi se asnjë qytetar nuk do të mbetet pa votuar për shkak të mospajisjes me karta identiteti, ndërsa u shpreh optimist për shifrat e deritanishme të aplikimit dhe të tërheqjes. “Deri sot kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik 1 milion e 253 mijë e 360 shtetas. Nga letërnjoftimet e prodhuara dhe të shpërndara në qendrat e aplikimit, deri tani kanë tërhequr letërnjoftimet e tyre 767 mijë e 190 qytetarë. Duke filluar nga dita e hënë zyrat e aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit do të jenë të hapura nga ora 08:00 - 22:00, pa ndërprerje. Ne i kemi të gjitha mundësitë që çdo qytetar që paraqitet për të aplikuar apo për të tërhequr kartën, ta ketë atë në disponim përpara ditës së zgjedhjeve”, - theksoi Nishani.

8 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›