E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrat elektorale në çdo lagje, aty ku fushata preket nga të gjithë

PD-ja, fushatë me takime në çdo shtëpi. Sondazhe çdo javë për të matur mbështetjen

Eljona Ballhysa

Blerta është e qeshur dhe e gatshme të japë informacion për të gjithë. Ajo është studente dhe vazhdon për psikologji, ndërsa prej disa ditësh qëndron në zyrën elektorale të PD-së në lagjen “Ali Demi”, pranë Njësisë Bashkiake Nr. 1 në Tiranë. Ajo nuk paguhet, pavarësisht se qëndron aty nga ora 9 e mëngjesit deri në 10 të mbrëmjes. “Unë jam angazhuar me Forumin Rinor të PD-së dhe këtë punë unë e bëj për bindje, nuk e bëj për të fituar diçka”, - tregon ajo e ulur në tryezën e mbushur me çakmakë e stilolapsa që mbajnë logon e PD-së dhe emrin e kandidatit të kësaj zone, Florion Mima. Është mesditë. Zyra e PD-së, e vendosur në anë të rrugës kryesore, duket që larg për shkak të flamujve të PD-së, atij shqiptar dhe flamurit amerikan. Është një ambient i qetë, me një tavolinë të madhe në mes, që krijon idenë e zhvillimit të mbledhjeve, karrige, sigurisht, televizori për të marrë informacione për çdo aktivitet zgjedhor dhe kompjuterët të lidhur me internetin për t’u dhënë informacion banorëve se ku e kanë qendrën e votimit.
Dera është e hapur në maksimum për të mirëpritur këdo. “Këtu vijnë shumë njerëz, si të PD-së, ashtu dhe të PS-së. Shumica kërkojnë të dinë se në cilën qendër votimi do të votojnë dhe ne i ndihmojmë”, - tregon Blerta. Por nuk zgjat shumë dhe ambienti mbushet me njerëz. I pari vjen Ylli, anëtar i Shtabit Elektoral. Ai është më i rezervuar, ndërsa tregon më shumë për hallet e njerëzve. “Gjatë takimeve që kemi zhvilluar me banorët kemi evidentuar disa probleme. Kryesoret janë legalizimet. Njerëzit kërkojnë informacion. Po ashtu, banorët nuk gjejnë fjalë për të përshkruar gjendjen skandaloze të shërbimit urban. Dhe sigurisht që ne i sqarojmë se kjo nuk është kompetencë e qeverisë, por e bashkisë”, - shprehet Ylli, i cili e thekson së tepërmi këtë ankesë. Më pas në zyrë vjen një ndër drejtuesit e Shtabit, Sadik Domi. Sigurisht, ai nuk mund të tregojë mbi strategjinë e fushatës së PD-së pa marrë leje nga eprorët. Pas disa telefonatash dhe pas premtimit se gjithçka do të shkruhet ashtu siç është thënë, Domi tregon se struktura është mëse e organizuar dhe se synimi është që gjatë këtyre 30 ditëve fushatë të takohet çdo banor i lagjes. Por takimet kryesisht fokusohen në ato familje me bindje kryesisht të majta ose që janë të pavendosur. Domi tregon se dita fillon në orën 9:00 të mëngjesit dhe përfundon në 10:00 të mbrëmjes. Vetëm në këtë njësi, që përfshin rrugën nga Shkolla e Baletit deri në Lana Bregas, funksionojnë 27 seksione, që të gjithë kontribuojnë për mbarëvajtjen e fushatës. “Gjatë këtyre dhjetë ditëve të para fushata është fokusuar në mbledhjen e problematikës së njerëzve si dhe në nxitjen e tyre për të aplikuar për karta identiteti në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhje. Sigurisht që kemi matur dhe pulsin përsa u përket bindjeve politike. Testimet tona tregojnë rezultat pozitiv për PD-në në këtë njësi”, - tregon Domi. Ai shprehet se në bazë të informacioneve të marra, kandidatët e zonës, Mima dhe Bojaxhi, do të hartojnë një platformë me premtime. Domi tregon se çdo ditë zhvillohen të paktën 2-3 takime me banorët, duke trokitur në çdo shtëpi. Çdo mëngjes në mbledhje hartohet një grafik pune ku ndahen zonat dhe grupet e punës që i takojnë secilës. Domi tregon gjithashtu se kanë zhvilluar konsultime dhe me ekspertët e kompanisë amerikane që është marrë nga PD-ja për të organizuar fushatën. Megjithëse nuk jep detaje, ai bën të ditur se i kanë marrë udhëzimet dhe çdo ditë pune është një ditë e re, me shumë takime, me njerëz të rinj për t’u takuar dhe me probleme të reja për t’u adresuar.

8 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›