Topalli, miting me gratë demokrate të Korçës: “Pajisuni me karta identiteti”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar një miting me gratë demokrate të Korçës në kuadër të turit “Gratë për fitoren”. Gjatë fjalës së saj në këtë takim edhe kryetarja Topalli ka bërë paraprakisht thirrjen për t’u pajisur me karta identiteti. Më pas ajo shprehu bindjen se më 28 qershor Korça, ashtu si gjithë Shqipëria, do të votojë për PD-në dhe për ndryshimin. “Projekti ynë është projekti i Shqipërisë europiane, ashtu siç e kërkon Korça, ashtu siç e kërkon Tirana, siç e kërkon Durrësi, Shkodra, siç e kërkon e gjithë Shqipëria. Ju bëj një thirrje që të shkoni të merrni kartat e identitetit! Thojuni edhe socialistëve, thojuni edhe të majtëve që të shkojnë të aplikojnë për të marrë kartat e identitetit. Nga Korça do t’i them Edi Ramës: festën e zgjedhjeve të 28 qershorit nuk mund ta prishë njeriu i certifikatave. Çështjen e zgjedhjeve të 28 qershorit nuk mund ta prishë njeriu që ka prishur familjen e tij të vogël dhe po prish familjen e tij politike. Ai që ikën nga shtëpia e tij, ai që ikën nga lista e deputetëve, ai mund të ikë kudo, prej gjithkund. Por shqiptarët do të votojnë vijimin e ndryshimit sepse projekte të tjera të mëdha kemi nisur. Mandati i dytë do të jetë mandati i punësimit, do jetë mandati i liberalizimit të vizave. Do të jetë mandati në të cilin Shqipëria do të bëhet gati për t’u bërë anëtare e BE-së”, - është shprehur Topalli.
8 Qershor 2009