Berisha në Kuvajt, marrëveshje për turizmin
Kryeministri Sali Berisha nisi dje një vizitë zyrtare në Kuvajt, ku do të nënshkruajë disa marrëveshje bashkëpunimi, mes tyre një marrëveshje për investime në sektorin e turizmit. "Gjatë këtyre takimeve pritet të nënshkruhet një seri marrëveshjesh të rëndësishme, si: nënshkrimi i konventës mes Shqipërisë dhe Kuvajtit, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin; nënshkrimi i programit ekzekutiv për turizmin etj", thuhet në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë, ku theksohet se një pjesë e gjerë e agjendës së Kryeministrit Berisha do të jetë e fokusuar në bashkëpunimin ekonomik, mes dy vendeve dhe me interesin e investitorëve kuvajtianë, për të investuar në Shqipëri. Investitorët e Kuvajtit kanë shprehur interes për të investuar në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e turizmit. Kryeministri Berisha gjatë kësaj vizite do të pritet në një ceremoni zyrtare nga Lartësia e Tij, Kryeministri i Kuvajtit, Sheiku Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah, me të cilin do të zhvillojë dhe një takim, që do të pasohet edhe nga nënshkrimi i një marrëveshje të rëndësishme mes dy vendeve. Ai u prit dje zyrtarisht në aeroportin e vendit. Sipas njoftimit zyrtar, Berisha do të takohet me Emirin e Kuvajtit, Lartësinë e Tij Sheikun Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, si dhe me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammed Al-Kharafi. Në agjendë janë përfshirë takime me zotin Khalid Abdullah Al-Sager, drejtues pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kuvajtit, si dhe me zotin Abdulëahab Al-Bader, Drejtor i Përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab. Në këtë vizitë zyrtare, Kryeministri Berisha shoqërohet nga Ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, nga Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, zoti Sokol Olldashi, si dhe nga një përfaqësi e komunitetit të biznesit shqiptar. Kryeministri po zhvillon këtë vizitë zyrtare në Kuvajt me ftesë të Lartësisë së Tij, Kryeministrit të Kuvajtit, Sheikut Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah. e.k