E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis hetimi,dëshmi e rreme te “Banda e Lushnjës”



TIRANE – Në dëshminë e tij para gjykatës, ka devijuar nga dëshmia e dhënë përpara oficerëve të policisë gjyqësore. Kaq ka mjaftuar që Edmond Xhafa, nga salla e gjyqit të Gjykatës për Krimet e Rënda, të shoqërohej për në polici. Pas qëndrimit disa orë në polici, ku i janë marrë deklarime, ai është lënë i lirë. Në vijim, Xhafa do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të “dëshmisë së rreme para oficerit të policisë gjyqësore”. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se Xhafa ishte thirrur si dëshmitar në një seancë sigurimi prove. Mësohet se ai do të dëshmonte mbi vrasjen e K.H. në Lushnjë, ngjarje për të cilën Prokuroria për Krimet e Rënda është ende në hetim e sipër. Burime pranë organit të akuzës, bënë të ditur se për ngjarjen në fjalë dyshohet të jetë kryer nga anëtarë të organizatës kriminale, të cilësuar nga prokuroria si “banda e Lushnjës”. Xhafa ka dhënë deklarime në prokurori mbi këtë ngjarje rreth dy javë më parë. Në deklarimet e tij në prokurori, Xhafa ka “shenjestruar” si autor të vrasjes së K.H., një nga të pandehurit e procesit gjyqësor ndaj “bandës”. Mësohet se viktima K.H. ka qenë mik i ngushtë i dëshmitarit Xhafa. Në seancën e djeshme të “sigurimit të provës” te Krimet e Rënda, ai devijuar në dëshminë e tij. Xhafa ka pretenduar para gjykatës se deklarimet fillestare i kishte dhënë nën presion. Pas kësaj, ai është shoqëruar për në polici dhe ndaj tij nisi procedimi penal në gjendje të lirë për “dëshmi të rreme”. Ndërkohë që procesi ndaj të akuzuarve, si anëtarë të “bandës së Lushnjës”, te Krimet e Rënda është në fazën e pyetjes së dëshmitarëve. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›