E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy gomone me 1 ton drogë nga Vlora, kapen në Itali



tirane/ vlore

Dy gomone, me një ngarkesa që shkojnë deri në një ton drogë, u ndaluan dje nga Policia italiane në brigjet e Leçes në Itali, pasi ishin nisur nga bregdeti i Shqipërisë. Dy persona nga Vlora, skafistë të gomoneve, u arrestuan nga policia e cila kapi edhe një person të tretë, që u drejtonte trafikun me anë të telefonit nga shtëpia e tij në Leçe. Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj në Tiranë dhe nga prokurori Cataldo Motta, në Leçe të Italisë. Sipas policisë së dy vendeve, mësohet se janë arrestuar Arbëresh Hazizaj, 23 vjeç dhe Almarind Brama, 26 vjeç, nga Vlora, si dhe 46-vjeçari Gëzim Birçaj, rezident në Leçe, i cili drejtonte trafikun e drogës nëpërmjet telefonit. Gjatë aksionit u sekuestrua 900 kilogramë kanabis, e ndarë në 13 pako, nga 45 pako që ishin gjithsej, por sipas Policisë italiane, pjesa tjetër u hodh në det nga skafistët para arrestimit.
OPERACIONI
Radari i Policisë Kufitare Shqiptare interceptoi largimin e papritur të dy skafeve nga bregdeti i Vlorës në drejtim të brigjeve italiane, natën e kaluar. Menjëherë u lajmërua Policia italiane, të cilës nga pala shqiptare iu kërkua të mbante në vëzhgim mjetet lundruese. Guardia di Finanza u informua nga Policia shqiptare se dy skafet që drejtoheshin nga dy persona, dyshohej se kishin në bord sasi të konsiderueshme bime narkotike. Policia italiane është vënë në lëvizje dhe dy anije të Guardia di Finanzas kanë shoqëruar në distancë dy skafet që ishin drejtuar nga Vlora, për në brigjet e Leçes. Sapo i janë afruar brigjeve italiane, dy skafistët Arbëresh Hazizaj dhe Almarind Brama, kanë “nuhatur” forcat e policisë që po i prisnin dhe kur kuptuan se ishin rrethuar, tentuan të fshihen, duke hedhur në det pjesën më të madhe të pakove të drogës. Me vete kanë mbajtur 13 pako dhe janë fshehur në një kënetë pranë bregut të detit. Sipas Policisë italiane, nëse kjo sasi droge e mbërritur në Leçe do të hidhej në treg për shitje me shumicë, kishte një vlerë rreth 600 mijë euro. Policisë i është dashur më pak se dy orë që të ndjekë lëvizjet e skafeve, që nga kanali i Otrantos e deri sa kanë mbërritur në brigjet e Salentos në Leçe.
TRAFIKU
Sipas deklaratës për shtyp të prokurorit italian, Cataldo Motta, i cili drejtoi operacionin në Itali, trafiku i drogës nga Shqipëria në Itali drejtohej nga një shqiptar, rezident në Salento të Leçes. Ai drejtonte 2 skafistët nëpërmjet telefonit nga shtëpia e tij dhe kjo bëri që edhe ai të përfundonte në pranga, bashkë me dy të rinjtë që ishin nisur nga Vlora. Policia italiane tha se i arrestuari i tretë i këtij operacioni të përbashkët me Policinë shqiptare është 45-vjeçari, Gëzim Birçaj.

Aksioni

Arrestuar në Itali
Arbëresh Hazizaj, 23 vjeç
Almarind Brama, 26 vjeç
Gëzim Birçaj, 46-vjeç

Arrestuar në Gjirokastër
Eduart Lushkaj, 20 vjeç
Eglivan Hatija, 28 vjeç
Selami Lushkaj
Andi Kurti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›