E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja “Klodi” përplas ambasadorët me vendorët



LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

çështja e Klodit përplas në Lezhë ambasadorët dhe pushtetarët vendorë. Ndërsa të gjithë kanë qenë dakord për shprehjen e mendimit të lirë në shoqërinë e sotme, akuzat për “presion” dhe “kërcënim” për familjen e protagonistit të “Big Brother”-it janë rrëzuar nga pjesëmarrësit. Ashtu siç ishte parashikuar u zhvillua paraditen e djeshme takimi mes përfaqësuesve diplomatikë, atij amerikan Xhon Uithers dhe gjermanit Bernd Borchardt, përfaqësuesve vendorë, të policisë, shoqatave të ndryshme dhe të rinjve të qytetit të Lezhës. Qëllimi ishte mbrojtja e familjes së Klodian çelës, pas protestave të kryera në këtë qytet dhe kërcënimit direkt që dy të rinj bënë për jetën e tij në një televizion. Takimi ka nisur i qetë, por është pasuar me debate, pasi sipas të pranishmëve familja çela prej 5 vitesh nuk jeton më në Lezhë, por në Durrës. Kjo ka ngjallur reagimin e nënës së Klodian çelës, por edhe të dy ambasadorëve, të cilët janë shprehur se një njeri duhet të jetojë jashtë kërcënimeve, qoftë dhe nëse qëndron një ditë në një qytet. I pari foli sekretari i bashkisë, Pashk Smaçi, i cili theksoi klimën e mirë që sipas tij ekziston në qytetin e Lezhës. “Lezha nuk shquhet për dhunë”, e hapi takimi ai. Ambasadori amerikan e nisi deklaratën e tij duke dënuar thirrjet diskriminuese të ekstremistëve grekë e duke vazhduar me historinë e Klodit. “Disa javë më parë, një djalë i ri kurajoz, i quajtur Klodian çela deklaroi publikisht se është homoseksual. Dhe fill pas kësaj zonja që është në krah, (Lume çela) mbajti një qëndrim mbështetës dhe e përgëzoj për atë që ka bërë. Familja e saj është nga Lezha, por ka pasur persona në Lezhë që kanë folur në mënyrë homofobike ndaj saj. Unë nuk i sfidoj të drejtën të shprehin haptas lirinë e tyre dhe mendimin e tyre. Unë gjithnjë kam për të respetuar lirin e fjalës. Dhe në fakt, kur liria për të folur dhe shprehur kërcënohet me dhunë, ku familja çela detyrohet të largohet, ky është një diskriminim”, pohoi Uidhers. “Klodi dhe familja e tij kanë të drejtë të jetojnë në këtë qytet si çdo shqiptar tjetër në këtë qytet”, tha ai. Edhe ambasadori gjerman, Borchardt shprehu mbështetjen e tij në këtë çështje, nisur nga kërcënimet sipas tij dhe protestat e zhvilluara në Lezhë, duke u shprehur pro mbrojtjes së pakicave. “Unë nuk e di nëse Klodi është i mirë, por di që është një njeri i guximshëm në mbrojtje të të drejtave të pakicave”, pohoi diplomati. Prefekti i Lezhës, Pal Dajçi, tha se, menjëherë pas deklaratave dhe protestave të bëra është përpjekur të takohet me familjarët e të riut që pohoi homoseksualitetin e tij, por ka arritur në përfundimin se familja nuk jeton në Lezhë. “Ne i dënojmë thirrje e disa të rinjve kundër Klodit. Por unë jam këtu për t’i ardhur në mbështetje nënës së Klodit që të jetojë në qytetin e Lezhës. Ajo ka 5 vite që nuk jeton në Lezhë, por e ftoj të vijë e të jetojë këtu”. E ëma e Klodit reagoi duke këmbëngulur se ka shtëpi në këtë qytet, madje i shoqi dhe dy djemtë punojnë këtu, fakt që është mohuar menjëherë nga sekretari i bashkisë, Pashk Smaçi. Këtij debati i është bashkuar dhe ambasadori Uithers, sipas të cilit është e patolerueshme që një person të jetojë me kërcënime. Por, pas kësaj fjalie, drejtori i parkut arkeologjik, Salvador Gjegji, deklaroi ashpër, duke thënë se dhe në mbrojtjen e një personi ka dy standarde. Duke dhënë shembull personal, ai deklaroi se i ka kërkuar vite më parë mbrojtje shtetit dhe ambasadës, por nuk pati asnjë reagim, ndërkohë që po i jepet mbështetje të madhe Klodit, madje ai ka aluduar se kjo po ndodh për të rritur shikueshmërinë e reality show-t. Përgjigja e Uidhersit ishte se përfaqëson këtu interesat e popullit amerikan dhe jo të Big Brotherit.

Policia: Asnjë kërcënim për familjen çela
Drejtoria e Policisë së Lezhës reagoi dje publikisht se nuk kanë regjistruar asnjë denoncim që familjes çela i janë bërë kërcënime dhe se në çdo çast ajo ka mbështetjen dhe garancinë e policisë nëse kthehet në Lezhë. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë sqaron se pas verifikimeve të bëra, rezulton se familja çela banon në qytetin e Durrësit. Bëjmë me dije familjen çela se nuk kanë dhe as nuk do kenë asnjë lloj shqetësimi apo kërcënimi nga asnjë banor i Lezhës, në çdo lloj momenti kur ata duan të kthehen në këtë qytet”.

Lume çela: Ika pas kërcënimeve
Lume çela, e ëma e protagonistit të Big Brotherit, deklaroi dje se mbështetjen e vetme e ka marrë nga ambasadorët e huaj dhe nga asnjë pushtetar shqiptar. “Ata jo vetëm nuk reaguan, por më e keqja ndodhi kur në Lezhë u organizua një protestë kundër Klodit. Jam banore e Lezhës që në vitin 1969, kam lindur këtu 5 fëmijë, nuk jam e internuar. Nuk e humbas respektin për Lezhën, pavarësisht disa personave që goditën familjen time, madje bënë dhe kërcënim direkt ndaj Klodit dhe familjes. Kur e pashë këtë, pasi kam Klodin dhe katër fëmijë të tjerë, i hoqa nga Lezha. I largova për t’i hequr nga provokimet nga protestuesit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›