E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi për televizorët,peticion nga burgu 313



TIRANE – Heqja e televizorëve nga qelitë e burgut 313, të paraburgosurit reagojnë me një peticion. Firmosja e dokumentit është bërë pak ditë më parë nga 177 të paraburgosur, mes të cilëve 18 gra, të cilat i janë drejtuar Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës, duke kërkuar ndërhyrjen në zgjidhjen e këtij problemi. Ndërkohë, ky institucion me anë të një njoftimi për shtyp, mesditën e djeshme, pohoi se kishte marrë në konsideratë ankesën e të paraburgosurve dhe se kishte përgatitur rekomandimet përkatëse për institucionet shtetërore dhe ndërkombëtare. “Ditët e fundit, QSHRT ka marrë ankesa nga 177 të paraburgosur të burgut 313, të cilët kanë firmosur peticion në lidhje me rregulloren e re të burgjeve, të miratuar dy javë më parë në mbledhjen e Qeverisë. Të paraburgosurit janë shprehur se ndryshimi i rregullores do të sjellë kufizime të disa të drejtave që ata i gëzojnë si: aparatet televizive, orari i ajrimit, dhe sasia e ushqimeve që u dërgojnë familjet, për të cilat pretendohet se janë fituar me grevë urie në vitin 2005. Kufizimi i të drejtës së informimit nëpërmjet televizorit, kufizimi ose mosplotësimi i kushteve për ajrosje, kufizimi i sasisë së ushqimeve që të burgosurit marrin nga familjet përbën shkelje të akteve ligjore vendëse dhe të BE-së. Të paraburgosurit pretendojnë se janë njoftuar që masa e heqjes së TV do të dekonspirojë hetimet e Prokurorisë, kur kjo e fundit, sipas tyre është e detyruar me ligj të ruajë sekretet e hetimit dhe jo t’ua shesë ato mediave. Ndërkohë, vetë të paraburgosurit pohojnë se grupi i të burgosurve që ndodhet në këtë fazë të hetimit mund të grumbullohet në një sektor të veçantë brenda institucionit, duke mos penalizuar kolektivisht të tjerët”, përfundon njoftimi. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›