Berisha në Laç: Qeveria do të financojë çdo projekt për Kurbinin

Në vijim të turit elektoral, kryeministri Sali Berisha u ndal në Laç ku prezantoi kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” për kryetar bashkie të këtij qyteti, z. Bardhi Rica. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Kryetarja e Parlamentit, zonja Jozefina Topalli, deputetë të zonës, etj. Berisha vlerësoi kandidaturën e z. Rica për kryetar bashkie të këtij qyteti dhe siguroi se në 4 vitet që vijnë qeveria do të financojë çdo projekt për Kurbinin, një nga rrethet më të fuqishme turistike të Shqipërisë, një nga epiqendrat kryesore të zhvillimit të vendit, një nga zonat më të fuqishme të prodhimeve industriale e bujqësore.
Kryeministri siguroi se me Bardh Ricën e qeveritarët e tjerë vendorë, do të punohet për ndërtimin e Landfill-it në këtë rreth. Gjithashtu, në partneritet me sektorin privat, do të rindërtohet tregu i Milotit, duke i rikthyer Kurbinit një nga tregjet më të mëdha të trojeve shqiptare. Do të ndërtohet gjimnazi i ri i qytetit, ndërsa në çdo fshat e lagje të këtij rrethi do të ndërtohen sistemet e ujësjellësve e kanalizimeve. Berisha tha se do të bëhet gjithçka për tërheqjen e investimeve të huaja, për punësimin e qytetarëve të Kurbinit.
Duke vënë në dukje investimet në katër vitet e kaluara, Kryeministri tha se në këtë rreth janë ndërtuar 90 kilometra rrugë, me vlerë 84 milionë euro, 14 sisteme ujësjellës e kanalizime, 16 shkolla, 6 qendra shëndetësore, janë subvencionuar 270 ha vreshtari e dru frutorë. Kryeministri tha se alternativa tjetër që ofrohet, ajo “e rrugës së vetme”, është një rrugë pa kthim. “Nga Kurbini dua t’i them dy fjalë z. Rama; i nderuar zotëri, të gjithë shqiptarët kudo që janë, kanë së paku 2 rrugë; njëra është rruga e Zotit dhe mjerë ai që kujton se mund t’ua zërë, mund t’ua pushtojë rrugën e Zotit besimtarëve të tij. Tjetra është rruga e lirisë, rruga që na bën ne të mundur që të zgjedhim atë çka besojmë dhe mendojmë se dimë dhe mund të bëjmë më mirë, atë që ne na duhet, që na shërben, që na zhvillon, na përparon”- tha kryeministri.
Në Librazhd/Në këtë qytet, gjatë 4 viteve të ardhshme do investohet 10 herë më shumë
Kryeministri Sali Berisha ka çelur fushatën elektorale për zgjedhjet e 8 majit në Librazhd, ku prezantoi z. Shefki Çota si kandidat i koalicionit “Aleancës për Qytetarin”, për kryetar të Bashkisë së këtij qyteti. Kryeministri Berisha vlerësoi kandidaturën e Shefki Çotës dhe siguroi se në katër vitet që vijnë me të, por edhe me qeveritarët e tjerë vendorë të komunave të Librazhdit, do ta punojnë për ta shndërruar Librazhdin në një nga rrethet e zhvilluara të Shqipërisë. “Ju garantoj se do të financojmë çdo projekt të këtij qyteti, çdo projekt të komunave të këtij rrethi, në mënyrë që së bashku t’i shndërrojmë në vlera për secilin prej jush pasuritë e mëdha të rrethit tuaj, rreth me pasuri të mëdha ujore, minerale, me potencial të vërtetë pemëtarie, rreth me njerëz të mrekullueshëm që frymëzojnë çdo njeri me shpirtin e tyre punëtor” - u shpreh kryeministri.
Kryeministri vuri në dukje se në këto vite, në rrethin e Librazhdit janë investuar 10 herë më shumë se 8 vitet e qeverisjes socialiste shkuan dhe garantoi se në 4 vitet që vijnë qeveria do të investojë 10 herë më shume se 4 vitet që shkuan.
Berisha prezantoi z. Firdus Kurti si kandidat për kryetar të komunës Qendër Librazhd/Kryeministri Berisha ishte dje pasdite në komunën Qendër Librazhd, ku prezantoi z. Firdus Kurti si kandidat të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar të kësaj komune. Kryeministri i uroi banorëve rrugën e re, 6.5 kilometra e gjatë dhe një investim me vlerë 70 milionë lekë. Duke u shprehur se zotimi i qeverisë është që fshatrat të urbanizohen njësoj si lagjet e qyteteve, Kryeministri Berisha tha se gjatë këtyre viteve në rrethin e Librazhdit është investuar 10 herë më shumë se në 8 vitet e qeverisjes së Partia Socialiste. Kryeministri i siguroi banorët e kësaj zone se qeveria do të subvencionojë çdo rrënjë pemë frutore që do të mbillet, duke synuar dhjetëfishimin e prodhimit të frutave në këtë vend. Kryeministri Berisha i ftoi banorët të votojnë zotin Firdus Kurti për kryetar të kësaj komune dhe i garantoi ata se së bashku do të përfundojnë çdo projekt që synon të ndryshojë për mirë jetën e tyre dhe të komuniteteve të tyre.