E Diel, 1 Nëntor 2026

Prioritetet pas 8 majit, masa lehtësuese për zhvillimin e biznesit

12-04-2011 / Gazeta 55

Kandidati i “Aleanca për Qytetarin”, për bashkinë Elbasan, Durim Hushi takon përfaqësues të biznesit në rrugën “Thoma Kalefi”


Kandidati për Kryetar Bashkie i “Aleancës për Qytetarin” Durim Hushi, i shoqëruar nga deputetët e Qarkut të Elbasan, Luçiano Boçi dhe Aurel Bylykbashi si edhe nga një pjesë e Këshilltarëve të ardhshëm të Këshillit Bashkiak, zhvilloi dje një takim konsultativ me bizneset që ndodhen pranë rrugës “Thoma Kalefi”, ku interesi i tij ishte i përqendruar në lidhje me problemet që has aktualisht biznesi i vogël në qytetin e Elbasanit. Gjatë këtyre takimeve, Durim Hushi është njohur më nga afër me pakënaqësitë që ka biznesi i vogël në qytetin e Elbasanit. Shqetësimet e tyre fokusoheshin kryesisht në rritjen gjithnjë e më shumë të taksave nga ana e Bashkisë së Elbasanit, si: pa licensimi i bizneseve, papunësia, konkurrenca e pandershme etj. Gjithashtu një tjetër shqetësim i hasur gjatë këtij takimi, ishte dhe fakti se në disa raste, biznesmen të ndryshëm përdorin një licencë për një numër të madh biznesesh, duke shmangur në këtë mënyrë pagesën e detyrimeve ndaj shtetit. Nga ana e tij, kandidati për Kryetar Bashkie i “Aleancës për Qytetarin”, Durim Hushi ka premtuar se pas ardhjes së tij në postin e kreut të Bashkisë, do të ndërmarr një sërë hapash për të lehtësuar ndjeshëm aktivitetin e biznesit të vogël. Gjatë këtij takimi konsultativ me biznesin e vogël, Hushi e vuri theksin tek hapja e një zyre orientimi për biznesin, për t’i ardhur në ndihmë në lidhje me tregtimin e produkteve të tyre. Në fund të takimit, Hushi dhe një herë deklaroi se ky takim ishte një njohje e tij me problemet e tyre dhe se së shpejti do të paraqitet përpara tyre me një program të detajuar në lidhje me zgjidhjen e problemeve të tyre. Më pas, Durim Hushi i shoqëruar edhe nga deputetët e Elbasanit, Ardian Turku dhe Luçiano Boçi, ka inspektuar një sërë rrugësh në lagjen “Partizan”, në një nga lagjet e njohura si “Pusi që lahet vetë”. Vetë qytetarët kanë shprehur një sërë ankesash dhe pakënaqësish, të cilat kryesisht lidhen me rrugët e paasfaltuara. Sipas tyre Bashkia u ka premtuar se do të shtronin të gjithë rrugët, por siç vihet re nga inspektimi, ky premtim nuk është mbajtur. Ata shprehen se këto premtime janë bërë 4 vite më parë dhe ende nuk është parë asnjë “lopatë zhavorr” për të mbyllur gropat e shumta në këtë zonë. Sipas tyre, Bashkia nuk ka mbajtur asnjë prej premtimeve të dhëna 4 vite më parë dhe se në këtë zonë nuk ka pasur asnjë investim qysh prej kohës kur Bashkia drejtohej nga zoti Turku. Probleme tjera të dukshme janë pallatet e pa-suvatuara, mbeturinat që nuk pastrohen çdo ditë. Moshat e treta nuk kanë një vend për të pushuar si edhe fëmijët një vend për të luajtur. Kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Hushi, i premtoi banorëve të kësaj lagje se do të ndërtoj një park, në funksion të moshuarve si edhe të fëmijëve dhe se do të ketë sa më shumë gjelbërim. “Ju premtoj infrastrukturë totale sepse me një buxhet minimal mund të bëhen shumë punime. Kushton pak dhe kënaq shumë persona. Brenda një viti do të mbaj premtimin tim”- u shpreh Hushi. Një tjetër shqetësim i banorëve të kësaj zone është dhe mungesa e kanalizimeve, e cila del në pah menjëherë sapo ka reshje shiu dhe kur rruga bëhet e pakalueshme. Gjithashtu qytetarët shprehen shumë të shqetësuar ndaj Policisë Ndërtimore, e cila sipas tyre nuk e kanë kryer punën e saj. Durim Hushi i premton banorëve të kësaj lagje se do të ketë një sistem kanalizimesh të ujërave të zeza dhe të bardha. Qytetarët tregojnë shqetësimin e tyre edhe për faturat e dritave dhe të ujit, sepse edhe kur qytetarët kanë shumë vite që nuk banojnë në banesën e tyre, këto fatura vazhdojnë dhe vinë. Në këtë pikë, Hushi shprehet se nevojitet një koordinim i Bashkisë me Komunën si edhe me Ujësjellësin e Elbasanit dhe se ka një projekt mirëkuptimi me këto institucione. “Bashkia edhe pse nuk i ka nën vartësi këto institucione, ajo ka përgjegjësi për funksionimin sa më mirë të tyren, gjithmonë kjo në dobi të qytetarëve”-deklaroi kandidati për Bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi. Ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike për qytetin e Elbasanit si edhe njëherësh deputet, Luçiano Boçi, u shpreh se Kandidati për Kryetar Bashkie i “Aleancës për Qytetarin” Durim Hushi ka mbështetjen tonë si edhe të Kryeministrit Sali Berisha. “Në 2007, Hushi ka vendosur mbi interesat politike, ato qytetare, duke kontribuar në zgjidhjen e Presidentit të vendit. Durimi e mban fjalën, prandaj duhet dhe meriton të jetë qytetari i parë i Elbasanit”- u shpreh deputeti  Luçiano Boçi. Nga ana tjetër, deputeti Ardian Turku deklaroi se prej kohës që ai ishte kryetar i Bashkisë së Elbasanit, në këtë zonë nuk është kryer asnjë investim. Në fund të fjalës së tij kandidati për Kryetar Bashkie i “Aleancës për Qytetarin” Durim Hushi, i premtoi qytetarëve të kësaj zone se me ardhjen e tij në krye të Bashkisë, kjo zonë do të ketë të gjithë vëmendjen e duhur përsa i përket investimeve në rrugë e parqe për fëmijë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›