Kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha angazhohet për zgjidhjen e problemeve të zonës “Ali Demi”

Premtimi/Punësimi dhe çmimet, prioritetet kryesore të bashkisë së pas 8 majit
Punësimi është prioriteti kryesor i kandidatit për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Gjatë prezantimit të djeshëm të kandidatit për Kryetar të Njësisë Bashkiake Nr.1 në zonën e “Ali Demit”, Agron Seseri, zoti Basha ka rishprehur angazhimin e tij për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mbrotjen e konsumatorit nga çmimet abuzive.
Kandidati për Kryebashkiak theksoi se e vetmja e betejë e tij në krye të Bashkisë së Tiranës do të jenë problemet e qytetarëve.
Lulzim Basha tha se politika e shpifjes dhe përbaltjes nuk krijon vende pune dhe nuk rrit cilësinë e jetës në Tiranë. Kandidati për kryebashkiak siguroi banorët e “Ali Demit” se shqetësimet e tyre janë prioritet i punës së tij. Gjithashtu, asfaltimi i rrugëve dhe rrugicave të Tiranës, krijimi i hapësirave të gjelbërta, ndërtimi i shkollave të reja dhe parqeve për fëmijët dhe të moshuarit, janë angazhimet e Lulzim Bashës para banorëve të “Ali Demit”.
Duke folur para banorëve, kandidati për Kryetar të Njësisë Bashkiake Nr.1, Seseri shprehu bindjen se ashtu siç ka ndryshuar Shqipëria në këto 6 vite do të ndryshojë dhe Tirana pas 8 Majit. Seseri tha se “Ali Demi” ka nevojë për vëmendjen e Bashkisë së Tiranës. Lulzim Basha siguroi se “Ali Demi” dhe gjithë zonat e qytetit do të kenë vëmendjen e tij çdo ditë kur të jetë Kryetar i Bashkisë.