Berisha në Laç: “Rama të heqë gjyzlykët, të shohë investimet e qeverisë”
Kryeministri Berisha ka inauguruar ditën e djeshme shkollën e re 9-vjeçare “Gjok Elezi”, në lagjen “Sanxhak” të qytetit të Laçit. Shkolla, e ndërtuar sipas parametrave më moderne dhe bashkëkohore, ka një vlerë prej 64 milionë lekësh të rinj dhe një kapacitet prej 744 nxënësish. Gjithashtu, shkolla ka 34 klasa të reja, 3 grupe parashkollorësh, si dhe 1 laborator modern informatike. Kryeministri Berisha, i shoqëruar gjatë kësaj vizite nga ministri i Arsimit, zoti Myqerem Tafaj, si dhe drejtues të pushtetit lokal, vizitoi laboratorin e informatikës ku u takua dhe bisedoi me nxënësit dhe mësuesit. Kryeministri bëri të ditur për të pranishmit se në 12 shkolla të mesme profesionale janë hapur degët e informatikës, gjë të cilën e konsideroi si një shans shumë të mirë për të rinjtë shqiptarë, për të përqafuar këtë fushë, e cila ka ndryshuar më shumë se çdo gjë tjetër, njeriun dhe njerëzimin. Ndërsa premtoi vazhdimin e investimeve të qeverisë “Berisha”, i bëri thirrje kreut të opozitës që të mos mohojë punën e qeverisë. “Çdo ditë inaugurojmë rrugë të reja, shkolla të reja, ujësjellës e kanalizime e megjithatë, në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër, bazuar në nihilizmin, krerët e opozitës mohojë çdo gjë. Dalin para mediave të vrerosur, gjoja për atë që krijojnë vetë në mendjen e tyre. Flasin për krizë dhe krizë të madhe, sepse krizë kanë në kokën e tyre. Unë jam këtu për t’i ftuar të gjithë deputetët e opozitës, le të vijnë dhe ata për të gëzuar së bashku inaugurimet e reja. Le të vijnë këtu dhe në çdo inaugurim sepse këto nuk janë vetëm për demokratët, këto janë për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga bindjet partiake. Zotërinj, mos e shikoni realitetin me gjyzlykët e kryetarit, sepse unë ju jap fjalën e nderit se kryetarit gjithnjë e më shumë po i nxihen gjyzlykët. Duhet të vini në këto inaugurime dhe si vlerësim e respekt të madh ndaj atyre që ju kanë votuar dhe pastaj jam i bindur se do të ndihmoni dhe kryetarin tuaj, duke i thënë se janë gjyzlykët ato që ta nxijnë Shqipërinë, sepse Shqipëria po zbardhet çdo ditë e më shumë”, - është shprehur Berisha.
11 Qershor 2010