E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Zgjidhni krizën, ndryshe nuk votojmë ligjet që kërkojnë 84 vota

Socialistët dhe demokratët, debat në seancë për transparencën e zgjedhjeve

Eljona Ballhysa
Socialistët do të bllokojnë miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar, ose ndryshe 84 vota, të cilat maxhoranca nuk i ka. Këtë e bëri të ditur dje gjatë debatit të lirë në seancë parlamentare kryetari i Grupit socialist Gramoz Ruçi. Ai i bëri thirrje maxhorancës që të pranojë kërkesat e PS-së për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, ndryshe PS-ja nuk do të votojë asnjë projektligj që kërkon shumicë të cilësuar votash. Kjo kërkesë e PS-së ka sjellë reagimin e menjëhershëm të demokratëve. Në emër të Grupit të PD-së reagoi kryetari Astrit Patozi, i cili shprehu gatishmërinë për hetimin e zgjedhjeve duke vënë theksin te respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve në fuqi. Por maxhoranca nuk e pranoi propozimin tjetër të PS-së për të shtyrë për një seancë tjetër miratimin e projektrezolutës për Prokurorinë e Përgjithshme, në mënyrë që të merren në konsideratë edhe propozimet e PS-së. Përkundrazi, PD-ja e miraton e vetme këtë projektrezolutë duke mos lënë shteg për bashkëpunim.
Debati
Debati mes dy partive nisi për shkak se në axhendën e punimeve të Kuvendit është parashikuar miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative, ligj ky që kërkon shumicë të cilësuar votash. Ruçi, ndërsa vlerësoi domosdoshmërinë e kësaj gjykate që i vjen në ndihmë biznesit, tha se drafti duhet të ndryshohet pasi biznesi nuk ka nevojë për një tjetër gjykatë politike. Më tej Ruçi u shpreh se maxhoranca duhet të bëjë transparencën e zgjedhjeve për shkak se PS-ja nuk do të miratojë ligjet e rëndësishme. “Grupi socialist mendon se ligji për Gjykatën Administrative absolutisht që duhet. Ky është mesazhi që kemi ne si opozitë për gjithë komunitetin e biznesit e për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë kontribuar prej kohësh në këtë projektligj. Por, as partnerët tanë ndërkombëtarë e as biznesi shqiptar nuk kanë nevojë për një padrejtësi të re. Nuk kanë nevojë për një ligj apo gjykatë politike, që në vend që t’u japë drejtësi, t’u krijojë probleme, pengesa dhe padrejtësi të tjera. Kjo është arsyeja që ajo që nënvizova qysh në fillim është që, veç këtij ligji, nga 22 apo 23 ligje që keni këtu, gati 10 apo 11 janë ligje kodesh që duan shumicë të cilësuar; që përsëri të çojnë te kryefjala që thashë që në fillim, që kërkohet një mirëkuptim, kërkohet një zgjidhje e krizës politike dhe kërkohet një marrëveshje e gjerë dhe e plotë, që ky institucion duhet të përmbushë misionin e tij jo me ngjyra partiake, por për t’i dhënë qëndrueshmëri, madje edhe institucione të qëndrueshme, të vërteta kushtetuese të këtij vendi. Unë përsëri ju bëj apel edhe në këtë seancë që ta gjykoni me gjakftohtësi, ta shikoni të vërtetën në sy. Këtu opozita nuk është garnitura e maxhorancës, që çfarëdo që ju të nisni, ta bitisni. Në këto kushte ne nuk mund të bëhemi bashkëfajtorë, bashkëpërgjegjës me këtë qëndrim”, - është shprehur Ruçi. Më tej ai kërkoi që PD-ja të shtyjë miratimin e projektrezolutës për Prokurorinë e Përgjithshme. “Në emër të grupit të PS-së kemi 30 amendime për projektrezolutën, të cilat i keni në dispozicion dhe ne kërkojmë që të shikohen në Komisionin e Ligjeve. Të reflektohen bashkërisht e ne jemi të gatshëm ta votojmë nëse këto do të merren në konsideratë”, - është shprehur Ruçi.
Por PD-ja nuk e mori në konsideratë këtë kërkesë të PS-së dhe e votoi e vetme projektrezolutën. Ndërkaq, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, reagoi pas deklaratës së Ruçit duke thënë se nuk ka krizë në vend dhe përsëriti qëndrimin e shumicës për t’iu përgjigjur çdo pretendimi të opozitës në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. “Ju kërkoni që ne të bashkëpunojmë dhe që të miratojmë një pakt. Po, zoti Ruçi, jemi plotësisht dakord që të bashkëpunojmë dhe kemi vetëm një kusht, i cili në fakt nuk është kusht, por është detyrimi ynë që të mos shkelim ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi. Jemi të hapur të bashkëpunojmë për të gjitha pretendimet dhe për të gjitha kërkesat normale dhe ligjore të opozitës”, - u shpreh Astrit Patozi.
Debati i lirë në Kuvend mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës gjatë seancës së djeshme plenare u përqendrua gjithashtu edhe te situata ekonomike në vend, në kritikat ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, drafti për imunitetin etj. Deputeti socialist, Armando Subashi, shprehu shqetësim për krizën e pazgjidhur politike në vend dhe i kërkoi maxhorancës të “dëgjojë kërkesën e komunitetit ndërkombëtar dhe të pranojë kompromisin e pranuar tashmë nga opozita, që bashkërisht t’i hapim rrugën reformave”.
Deputeti demokrat, Flamur Noka, akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për mungesën e parqeve dhe mjediseve të gjelbëruara, të cilat, në mënyrë abuzive dhe klinteliste u janë dhënë firmave ndërtuese për ngritjen e objekteve të banimit. Kjo politikë, sipas tij, bëhet në kurriz të banorëve të kryeqytetit, të cilët po torturohen nga zhdukja e hapësirave të gjelbra.
Shegushe Ligori, deputete e PS-së, tha se vendi ndodhet në një situatë të vështirë për shkak se vota u grabit më 28 qershor. Ndërsa deputeti i PD-së, Viktor Gumi, u ndal te çështja e imunitetit të zyrtarëve dhe e ftoi opozitën të reflektojë dhe t’i bashkohet nismës së depozituar nga maxhoranca prej disa vitesh në Kuvend.

Ruçi-Patozi, debat dhe për Kampionatin Botëror të Futbollit

Dy krerët e grupeve të mëdha parlamentare kanë debatuar dje në seancë parlamentare për transparencën e zgjedhjeve, ndërsa kanë përdorur për paralelizëm futbollin dhe Kampionatin Botëror. Astrit Patozi i ka bërë thirrje Ruçit të mos bëjë deklarata për kriza dhe t’i lërë qytetarët të shijojnë futbollin dhe Kampionatin. “Nesër fillon Kampionati Botëror. Do t’ju lutesha të mos i bezdisni shqiptarët. Mos i bezdisni në këto ditë të Kampionatit me historitë e kutive, të krizës etj. Mos u bëni qesharakë. Kampionati Botëror, si evenimenti më i madh sportiv, ka disa elemente që mund t’ju vijnë në ndihmë edhe juve. Kur dikush humbet i jep dorën tjetrit që fiton dhe vazhdon përgatitjen për herën tjetër, kush është arbitri etj.”, - nënvizoi Patozi. Por, menjëherë ka reaguar sërish Ruçi, që i ka kujtuar Patozit të mësojë se si dënohet trukimi i ndeshjes. “Ti bëre mirë që e kujtove topin e Botërorit, se ai topi i politikës është tashmë në fushën tuaj, se po mundoheni ta kaloni në rrjetën e europianëve, por ose u del jashtë, ose bëni shtyllë. Po pse s’i përmende trukimet e ndeshjeve? Apo nuk e di që ato hetohen? Ju po trukoni ndeshjen dhe ne nuk po flasim për gol me dorë, por për trukim. Ju në fakt po i bini shtyllës me kokë. Në vend t’i bëni reklamë Botërorit, merrni masat se për 10 ditë do të ndërprisni energjinë ngado në vend dhe shumë nuk do kenë mundësi ta shohin Kampionatin”, - tha Ruçi.

11 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›