E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton Namik Doklen në postin e nënkryetarit



Kuvendi ka miratuar me unanimitet të plotë propozimet e Partisë Socialiste për postin e nënkryetarit të Kuvendit dhe vendet drejtuese në komisionet e përhershme parlamentare. 125 deputetët e pranishëm në seancën e djeshme kanë miratuar kandidaturën e deputetit Namik Dokle në postin e nënkryetarit të Parlamentit. Ndërkaq, kanë marrë pëlqimin e deputetëve edhe kandidaturat e tjera. Fatmir Xhafa do të jetë nënkryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Mimi Kodheli, nënkryetare e Komisionit për Ekonominë dhe Financat. Arta Dade, nënkryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme. Ermelinda Meksi, kryetare e Komisionit për Integrimin Europian, Ilir Gjoni nënkryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Et'hem Ruka, kryetar i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetin. Ilir Beqaj nënkryetar i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin,Valentina Leskaj, kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Një ditë më parë Grupi parlamentar i PS-së përzgjodhi katër nënkryetarët e grupit, Eduard Shalsi, Sajmir Tahiri, Vasilika Hysi dhe Erion Braçe, ndërsa në postin e sekretarit të Përgjithshëm emëroi Taulant Ballën.

Qeveria përfundon përgjigjet shtesë, Bregu: “Kriza nuk ndikon”

Ashtu siç ishte parashikuar, qeveria dorëzoi brenda afateve përgjigjet e pyetjeve shtesë të Pyetësorit europian që kanë të bëjnë me çështje të korrupsionit e sigurisë. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha dje gjatë një konference për shtyp se me këtë pjesë të dokumentit u përmbushën detyrat e caktuara nga Brukseli. Sipas saj, kriza nuk ndikon në procesin e integrimit, por përgjegjësitë e atyre që tentuan ta pengojnë nuk mund të mbulohen. “Ka pasur një bojkot të tejzgjatur nga ana e opozitës, por fatmirësisht më duhet të them se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE nuk është një proces që ecën vetëm në bazë të humorit të opozitës, apo të liderit të PS-së. Pjesa e kriterit politik është një pjesë, e cila besoj që edhe në këtë moment kur flasim ka një qartësi më të madhe sesa mund të ishte muaj më parë dhe e rëndësishme është që ky proces nuk është vetëm një proces meritash, por në këtë proces askush nuk i heq meritën as qeverisë dhe as politikës, asnjërit individ apo politikan, sikurse askush nuk mund të mos i njohë përgjegjësinë për bllokimin apo tentativa për të bllokuar procesin e integrimit atyre politikanëve të cilët kanë dëshmuar papërgjegjshmëri në këtë proces”, - deklaroi ministrja Bregu.

11 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›