E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Maxhoranca po kërkon të gjunjëzojë sistemin e drejtësisë”

Kreu i PS-së: “Ndryshimi i Rregullores së Kuvendit është tentativë për pushtimin e Gjyqësorit”

Eneida Jaçaj
Përpara elektoratit të Fierit, dje, kryetari i Partisë Socialiste, ndër të tjera, e vuri theksin te ndryshimi i Rregullores së Kuvendit nga maxhoranca për të votuar në mënyrë të hapur dekretet presidenciale për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Lideri i opozitës tha se kjo sjellje e maxhorancës fsheh pas tentativën për të pushtuar Gjyqësorin. Kryesocialisti këtë periudhë e quajti periudhën e kompromiseve, por i bëri të qartë kryeministrit Sali Berisha se nuk ka ndërmend të lëshojë pe për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Gjyqësori
Duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Berisha, Rama u shpreh se ky është pushteti i votave të vjedhura, i cili kërkon të kapet pas Gjyqësorit, Legjislativit dhe pas medias të venë nën presionin e interesave të pushtetit për të mbuluar vetveten. “Çfarë tjetër përveçse gjunjëzim i Gjyqësorit deri në fund është përpjekja për të votuar në mënyrë të hapur anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës sa Lartë?” - deklaroi Rama. Kryesocialisti shprehu shqetësimin edhe për gjendjen e rënduar ekonomike, të cilën po e vuajnë familjet shqiptare, ndryshe nga shifrat “e mrekullisë ekonomike” që publikon qeveria. “Se në ç’mrekulli ekonomike jetojnë sot shqiptarët, nuk kanë nevojë për të na dëgjuar ne, as për të dëgjuar Sali Berishën, po u mjaftojnë të shohin të ardhurat që hyjnë në xhepin e tyre dhe çfarë del nga xhepi i tyre për të blerë: çfarë? Sot paguajnë shumë më tepër për të blerë shumë më pak se ç’blinin disa kohë më parë. Kjo është ekonomia reale e familjes shqiptare. Ashtu sikundër sot janë më të papunë sesa ç’ishin disa kohë më parë. Ky është fakti me të cilin përballen familjet shqiptare”, - u shpreh Rama.
Transparenca
Lideri i opozitës gjatë fjalimit që mbajti përpara qytetarëve të Fierit i ka bërë të qartë kryeministrit Berisha se nuk ka rrugë tjetër, përveçse të lejojë transparencën e zgjedhjeve të kaluara. “Përballë një opozite si e jona, pushteti nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të dorëzohet, sepse liritë dhe të drejtat tona ne nuk i negociojmë dhe rrugën e transparencës, ne kemi vetëm dy rrugë për ta përballur: o ta hapim, o ta hapim”, - apeloi Rama. Kryesocialisti Rama, duke u ndalur në turin e inaugurimeve që ka ndërmarrë Berisha, gjykon se kjo bëhet me qëllim spostimin e vëmendjes së shqiptarëve duke prerë shirita për të katrën apo pestën herë dhe duke trilluar për opozitën. “Sali Berisha po përpiqet gjatë gjithë këtyre ditëve të spostojë vëmendjen e njerëzve dhe po përpiqet të fitojë kohë me gërshërë në dorë duke inauguruar për të katërtën, për të pestën, për të gjashtën herë po ato rrugë, po ato shkolla, të cilat i shërbejnë vetëm si sfond për propagandën e tij të Shqipërisë të mrekullisë ekonomike”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “ndërkohë inauguron dhe trillon për opozitën po ato çështje të 20 vjetëve më parë, duke thënë se ne po mundohemi të ndjellim keq, se ne po i gënjejmë shqiptarët, se ne nuk duam ta shohim mrekullinë ekonomike që qeverisja e tij ka sjellë”. Më tej Rama u ndal në premtimet elektorale të pambajtura të pushtetit aktual. Kryesocialisti kujtoi se pasi u premtoi 160 mijë vende të reja pune shqiptarëve, u ka humbur deri tani në më pak se një vit 100 mijë vende pune.

Berisha mbështet iniciativën “Një laptop për fëmijë” nga organizata “OLPC”

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim ish-presidentin dhe anëtarin e Bordit të OLPC, Chuck Kane dhe Giulia D’Amico, të cilët ishin të shoqëruar nga përfaqësuesi i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë, Andi Dobrusha. Kane e informoi kryeministrin për ecurinë e iniciativës “Një laptop për fëmijë” dhe mundësitë e bashkëpunimit me Shqipërinë. Ai tha se deri tani, OLPC, e cila është një organizatë jofitimprurëse, ka shitur me kosto rreth 1.6 milionë laptopë për fëmijët në 39 vende të botës. Të ftuarit gjithashtu prezantuan variantin e ri të laptopit të OLPC-së, i cili është dizajnuar sidomos për fëmijët e arsimit 9-vjeçar, në të cilin mund të lidhesh me internet me nxënësit e tjerë, mund të kesh libra dhe kurrikula etj. Kryeministri Berisha i njohu të ftuarit me arritjet e Shqipërisë në fushën e arsimit dhe veçanërisht me projektin “e-Shkollave”, ku çdo shkollë ka laborator kompjuterik dhe lidhje me internet. Gjithashtu, kryeministri shprehu vullnetin e palëkundur të qeverisë për mbajtjen e premtimit që çdo fëmijë në Shqipëri të ketë kompjuter dhe çdo familje të ketë mundësi lidhje me internet bandëgjerë.

11 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›