E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Mbrojtjes publikon masat për banorët e prekur nga përmbytja

Ministria e Mbrojtjes prezantoi ditën e djeshme masat operacionale të marra nga Forcat e Armatosura për ti shkuar në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura në Shkodër dhe në Lezhë nga prurjet e mëdha të ujit nga lumi Drin. Gjatë ditës forcat e angazhuara në terren kanë punuar për ndërtimin dhe përforcimin e argjinaturës në Ishull Lezhë me gjatësi 1000 metra. Aktualisht ka përfunduar argjinatura në një gjatësi prej 500 metrash, ndërsa po punohet

për përfundimin e plotë të saj. Po kështu vazhdon puna edhe për riparimin e argjinaturës së Dajçit. Në këtë argjinaturë me gjatësi 14 kilometra, janë vendosur 3000 thasë me rërë dhe janë kryer punime të tjera të domosdoshme për strukturën e argjinaturës, thuhet në një informacion të Ministrisë mbi situatën. Sipas saj, forcat ushtarake nisën dje në mëngjes dhe kanë përfunduar rreth mesditës ndërtimin e urës tip Bejli me gjatësi 9 metër në Muriqan të komunës Obot. Në fshatin Obot janë shpërndarë me anë të gomoneve dhe motobarkave ushtarake rreth 200 pako me ndihma ushqimore, afërsisht tre ton me materiale të nevojshme për familjet që kanë shtëpitë e përmbytura. Forcat e ushtrisë po punojnë për riparimin e infrastrukturës rrugore në zonat e prekura nga përmbytjet dhe po merren edhe me evakuimin e banorëve të zonave të prekura. Ministria e Mbrojtjes, tha se Forcat e Armatosura kanë vendosur në dispozicion të Shtabit të Emergjencave kapacitete të mjaftueshme për zhvendosjen e banorëve, ndër të cilat forca njerëzore dhe mjete për transportim të mallrave dhe të bagëtive. Shumë prej banorëve janë vetëzhvendosur tek të afërmit ose kanë refuzuar  largimin nga banesat.Ministria e Mbrojtjes ka vënë në dispozicion për banorët që evakuohen, Shtëpinë e Pushimit në Durrës me një kapacitet prej 420 personash. Është përfunduar dhe vënë në gatishmëri të plotë, një kamping me të gjitha pajisjet, i cili mund të strehojë mbi 130 persona. Aktualisht janë të angazhuar në terren rreth 164 forca, 48 mjete si; 12 kamionë, 6 gomone, 1 ambulancë, 14 vetëshkarkues, 1 karroofiçinë, 4 fadroma, 2 ekskavatorë dhe mjete të tjera. Zonat ku operojnë forcat ushtarake në Qarkun Lezhë janë: Tale dhe Shëngjin; në Qarkun Shkodër: Obot, Oblik, Dajç, Muriqan, Dërgjat, Shirq dhe Vau i Dejës, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›