E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Lin: Liberalizimi i vizave dhe integrimi në BE, tmerri i mafias që ka zbritur në rrugë

Në vijim të vizitë së tij në Pogradec, kryeministri Sali Berisha inauguroi sot rikonstruksionin e rrugës së fshatit Lin. Kjo rrugë me gjatësi  1,8 km, gjerësi 8 m dhe trotuar në të gjithë gjatësinë e saj  ka  një vlerë prej 36 milion lekë dhe përmban të gjithë elementet e një rruge moderne e bashkëkohore. Duke përshëndetur banorët e pranishëm, kryeministri Berisha i siguroi ata se qeveria do të bëjë çdo investim që Lini turistik të rimëkëmbet gjithnjë e më shumë. Gjithashtu në fjalën e tij, kreu i qeverisë iu referuar dhe proceseve të integrimit evropian të Shqipërisë. Shefi i ekzekutivit deklaroi tha se liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë dhe integrimi i Shqipërisë në BE, është tmerri i mafias që ka zbritur në rrugë, e cila po përpiqet dita ditës t’i pengojë këto procese. Por, shtoi kryeministri, qeveria do të fuqizojë luftën ndaj saj, për të ndjekur interesin e vendit, interesin e lëvizjes së lirë, interesin e prosperitetit dhe të integrimit. “Së pari, ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë për këtë ditë të bekuar, këtë ditë të shenjtë, ditën e bajramit ne inaugurojmë këtë rrugë kaq të bukur , një bulevard të vërtetë , në një prej fshatrave më piktoreske të Shqipërisë, në fshatin Lin. Shfrytëzoj rastin, ti uroj të gjithë besimtarëve myslimanë, por dhe të gjithë të zotit, Gëzuar Ditën e bajramit, këtë ditë të madhe, dita e sakrificës së njeriut për zotin , për familjen e tij. Gjithçka ka ndërtuar dhe ndërton njeriu, gjithçka të mirë e realizon për vete, për fëmijët, për familjen, për shoqërinë, e ka të bazuar në mundin, në djersën në sakrificën e tij. Sot dua të garantoj kryetarin tuaj të komunës dhe gjitha banorët e Linit se qeveria do të bëjë çdo investim që Lini turistik të rimëkëmbet gjithnjë e më shumë. Ne inaugurojmë këtë rrugë sot, kur ardhja e turistëve në Pogradec dhe në mbarë Shqipërinë, këtë vit ka qenë më e madhe se kurrë në historinë tonë. Këtë vit ne shqiptarët jemi të vetmit në botë që patëm një rritje të turizmit prej 36 %. Unë ju garantoj se Shqipëria anëtare e NATO, Shqipëria vendi i cili do të ketë heqjen  e vizave brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm, Shqipëria së cilës iu pranua kërkesa për anëtarësim të plotë në BE, me bukuritë e saj përrallore, me potencialin e saj të jashtëzakonshëm do të bëhet një nga vendet më të kërkuara në Evropë në botë për pushuesit evropianë dhe nga mbarë bota. Të dashur qytetarë të Linit! Viti 2009 ishte një vit i madh për ne shqiptarët, ishte viti në të cilin ne u anëtarësuam në NATO. Ishte viti në të cilin ne zhvilluam zgjedhjet më të mira në historinë e këtij kombi. Ishte viti në të cilin zgjedhjet tona u bekuan nga populli shqiptar, si dhe u bekuan nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. Ne morëm një bekim planetar dhe kjo na shton nder dhe dinjitet secilit prej nesh. Por këtë vit u vendos që vizat për ju, vizat për shqiptarët të hiqen brenda vitit të parë të këtij mandati. Dje parlamenti evropian, tempulli i demokracisë evropiane, institucioni më i fuqishëm në Evropë, pas ratifikimit të traktatit të Lisbonës votoi në unanimitet për heqjen e vizave për Shqipërinë, mbështeti vendimin  e Këshillit të Ministrave për pranimin e kërkesës për anëtarësim. Në dritën e proceseve të integrimit, të  interesave jetike të çdo qytetari shqiptar për heqjen  vizave, heqja e vizave do të thotë bashkim familjar, heqja e vizave do të thotë punësim sezonal dinjitoz, do të thotë lëvizje e lirë në mbarë kontinentin, heqja e vizave do të thotë shkollim i fëmijëve ku të duan në të katër anët e kontinentit, do të thotë një preferencë shumë me e madhe për turizmin , për shkëmbimet tregtare, pra lehtësim të gjithanshëm. Në rrjedhën  proceseve integruese në një kohë kur BE votoi në 16 nëntor për të pranuar kërkesën e Shqipërinë për anëtarësim, në këtë rrjedhë në këtë ditë thirrjet e çirrjet se nuk na duhen të huajt shëmbëllejnë me një atavizëm që vjen nga thellësitë  e kohërave më të zeza që ka kaluar ky vend. Por të gjithë së bashku të shohim përpara, le të ndërtojmë bulevarde si ky, le të ndërtojmë shkolla, autostrada, ujësjellës, kanalizime, të bëjmë çdo gjë që të shkëputemi sa më shpejt nga varfëria, të krijojmë vende pune dhe te ecim të sigurt drejt integrimit. Ne na duhen të huajt. Ne po luftojmë të integrohemi tek të huajt. Ne jemi ata që kemi nevojë jetike për të lëvizur të lirë në kontinentin evropian. Ne jemi ata që kemi nevojë jetike për tu ndarë nga prapambetja shekullore që kemi trashëguar, ne jemi a ta që kemi nevojë jetike për begatinë që kombet e zhvilluara kanë prekur. Ata që bëjnë thirrje se nuk na duhen ndërkombëtarët mos mendoni se kanë interesat tuaja, mos mendoni se kanë interesat e familjeve tuaja apo të familjeve shqiptare, jo të dashur qytetarë, ata kanë vetëm një interes, interesin e mafies. Mafies nuk i intereson Evropa. Mafia ka tmerr nga liberalizmi i vizave, mafia ka tmerr nga integrimi në BE. Sepse ndjekja ndaj saj, lufta ndaj saj fuqizohet çdo ditë e më shumë, ndaj dhe ne të shohim interesin, tonë, interesin e lëvizjes së lirë, interesin e prosperitetit, e progresit drejt BE-së. Zoti Kryetar i Komunës ke fatin se qeveris në një nga komunat më të bukura të Shqipërisë. Këtë vit Pogradeci, Lini ka zgjuar interesin e grupeve të mëdha turistike, ka zgjuar interesin  e investitorëve të mëdhenj, unë ju garantoj se këtë vit dhe në vazhdim investitorë nga  e gjithë bota do të investojnë miliarda euro nga fshati juaj deri në Tushemisht në një nga zonat më të bukura të Evropës. Në 8 dhjetor të gjithë në Tiranë, 8 dhjetori solli lirinë, 8 dhjetori Krishtin, 8 dhjetori solli Muhametin, 8 dhjetori solli Evropën, 8 dhjetori është festa e idealeve tuaja evropiane, është festa e të ardhmes suaj!”, përfundoi fjalën e tij, para banorëve të Linit, kryeministri i vendit Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›