E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha uron besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit

Kurban bajrami e gjen Shqipërinë këtë vit në prag të zhvillimeve të mëdha integruese


Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një vizitë në Myftininë e Pogradecit me rastin e Ditës së Kurban Bajramit, nga ku i përcolli të gjithë besimtarëve  myslimanë urimet  për  festën. “Shfrytëzoj rastin për të shprehur dhe për të përcjellë urimet me te përzemërta  të besimtarëve myslimanë të Pogradecit dhe mbarë Shqipërisë, por dhe të gjithë besimtarëve shqiptarë. I uroj gëzuar këtë ditë, ditën e nderimit,  të përkushtimit sublim të sakrificës  më sublime, për besimin tek zoti, tek familja, tek shoqëria. Asgjë nuk ka ndërtuar dhe nuk ndërton  njeriu, të gjitha mrekullitë e tij, të gjitha arritjet e tij janë të bazuara në sakrificën e tij të ndershme, në djersën, në mundin, në dhimbjen, në përkushtimin, ndaj ne nderojmë sot këtë ditë më mirë se kurrë.  Kurban bajrami na gjen ne anëtarë të NATO-s. Kurban Bajrami na gjen ne një komb të  votuar nga 27 vende të Evropës për tu bashkuar në gjirin e tyre, na gjen në fund të liberalizmit të plotë të vizave. Le të urojmë të gjithë së bashku që Kurban Bajrami i ardhshëm të na gjejë me ëndrra të tjera të realizuara. Edhe njëherë Gëzuar!”, përfundon urimi i kreut të qeverissh Sali Berisha.


Jozefina Topalli: Kjo ditë, si çdo ditë është jo vetëm për fjalë e mendime të mira, por dhe për veprime të mira
 
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli uroi sot të gjithë besimtarët myslimanë në festën e Kurban Bajramit. Kryetarja e Kuvendit bëri një vizitë në Medresenë e Tiranës ku u prit nga Kryetari i Komunitetit mysliman, Haxhi Selim Muça.
“Sot është një ditë e shenjtë. Zoti ka shënuar këtë ditë si një ditë në të cilën nuk mjaftojnë vetëm fjalë të mira dhe mendime të mira, por është një ditë që të kemi vepra të mira dhe gjeste të mira. Kjo ditë, si çdo ditë është  një filozofi e veçantë ku shoqëria ka nevojë të mendojë thellë për të pasur jo vetëm fjalë, por vepra të mira”, tha Kryetarja e Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit, bëri urimet e saj për më shumë shëndet e harmoni në familjet e të gjithë shqiptarëve, jetë sa më të lumtur e të gjatë dhe që viti që vjen t’i gjejë të gjithë me më shumë mbarësi e paqe.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›