Berisha ne PPE thirrje per mbeshtetje te Ballkanit Perendimor
Në adresimin e tij para pjesëmarrësve në kongresin e 21-të statutor të Partisë Popullore Europiane, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Europian që të mbështesin zgjerimin e tij me vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke shfrytëzuar këtë fjalë para përfaqësuesve të organizmit politik më të madh e influent europian, me 74 parti europiane nga 39 vende, por edhe praninë e Presidentit të Këshillit Europian dhe Presidentin e Komisionit Europian, kryeministri Berisha theksoi se Ballkani ka nevojë për më shumë Europë për të kapërycer të shkuarën e tij, dhe për t’u dhënë fund shfaqjeve nacionaliste.
Gjatë fjalës së tij mbi situatën e Shqipërisë për të cilën është rekomanduar statusi i vendit kandidat në BE, kryeministri Berisha deklaroi se vendi ynë, ndonëse ka ndjerë efektet e krizës, për shkak se rrjeti ynë bankar është i lidhur me atë europian, sërish nuk ka rënë në recesion. Por kreu i qeverisë ftoi vendet anëtare të BE-së që të ndjekin politika për të kapërcyer krizën dhe për të shmangur përfshirjen e vendeve të tjera prej saj.
Mbylljen e fjalës së tij në kongres, kreu i qeverisë shqiptare e rezervoi për një ftesë ndaj drejtuesve të PPE-së, që të vijnë edhe në 2013 -ën për të çelur fushatën elektorale, ndërsa u shpreh për një fitore të tretë të demokratëve në këto zgjedhje.
“Unë e ndihej se votuesit janë shumë të lumtur për arritjet. Unë iu ftoj ju zoti kryetar të vini në vendin tim dhe do të shihni një fushatë që do të jetë nga më të bukurat, do të jetë një fushatë paqësore dhe bindëse” tha Berisha.
Kryeministri i Shqipërisë tha se e bazonte fitoren në arritjet e qeverisjes së demokratëve për dy mandate në Shqipëri, falë të cilave është shndërruar në vend me të ardhura të mesme e të larta dhe ka disa tregues të vendeve të zhvilluara.
Kryeministri Berisha u takua dhe diskutoi edhe me Kancelaren Gjermane Angela Merkel. Ai vlerësoi si një arritje të madhe për vendin propozimin e bërë nga Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat, e siguroi znj. Merkel për vendosmërinë e qeverisë së tij për të plotësuar në kohë kërkesat e fundit të Komisionit Evropian për dhënien e statusit, në dhjetor të këtij viti.
Kryeministri nënvizoi shkurtimisht situatën ekonomike, përballimin me sukses të krizës botërore dhe sfidat që përballon Shqipëria për shkak të saj.
Kryeministri përfitoi nga rasti për ta ftuar personalisht Kancelaren Merkel për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Kancelarja gjermane e falënderoi Kryeministrin Berisha për ftesën dhe u shpreh se do shqyrtonte me interes propozimin për statusin dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë.