PE Politika te plotesoje kushtet per statusin
Grupet politike të Parlamentit Europian mbêshtesin pothuajse në mënyrë unanime projektrezolutën e eurodeputetit Nikolaos Chountis për ti akorduar statusin e kandidatit Shqipërisë,sapo vendi të ketë plotësuar dhe tre kushtet e përcaktuara nga Komisioni Europian.
“Në raportin tim, thuhet qartë, se Parlamenti Europian mbështet dhënien e statusit të kandidatit për Shqipërinë nëse plotësohen dhe reformat e mbetura. Mesazhi ynë synon të nxisë forcat politike që të kryejnë reformat e nevojshme për përmirësimin e standarteve të jetesës së qytetarëve shqiptarë, mbrojtjen e të drejtave të shtresave më të defavorizuara dhe përforcimin e sistemit të drejtësisë “, u shpreh Chountis.
Sipas eurodeputetëve, rekomandimi për statusin u arrit në sajë të bashkëpunimit të forcave politike, që nevojitet të konsolidohet dhe të jetë i qëndrueshëm.
“Unë jam krejtësisht dakort me raportuesin, që ne duhët të nxisim forcat politike shqiptare që të vazhdojnë dialogun politik dhe të sigurojnë jetëgjatësinë e tij. Është e qartë, se vetëm kjo është mënyra për të përmbushur kriteret e përcaktuara nga Komisioni Europian për progrès të mëtejshëm në integrimin europian të vendit”, deklaroi Kukan.
Ndërkohë që sipas eurodeputetit Rouçek mesazhi kryesor politik është që konsensusi i brendshëm midis mazhorancës dhe opozitës është i nevojshëm për vijimin e reformave. “Ne duhet të konsolidojmë demokracinë në Shqipëri. Kjo është një pikë kyçe për integrimin e Shqipërisë në BE”, deklaroi ai.
Për eurodeputetët zgjedhjet parlamentare të 2013 janë një test politik i rëndësishëm, por ato nuk duhet të cënojnë progresin e deritanishëm. Shqipëria duhet të bëjë progrese në një sërë fushash.
“Shpresoj, që zgjedhjet parlamentare të 2013 do të konsolidojnë kulturën demokratike në vend dhe do të ruajnë progresin e arritur deri tani. Një nga pikat ku Shqipëria duhet të bëjë progres është fusha e mbrojtjes së mjedisit, kryesisht turizmi, pasi kultura e kujdesit ndaj mjedisit nuk është e zhvilluar sa duhet”, nënvizoi Yvo Vajgl.
Për Maria Eleni Koppa, përveç luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Shqipëria duhet të forcojë të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve. Sipas saj, një kujdes i veçantë duhet të tregohet për të drejtat e të burgosurve, të fëmijëve, trafikimit të grave dhe dhunën që ushtrohet kundër tyre në familje.
Projekrezoluta pritet të aprovohet në seancê plenare të javës së parë tê dhjetorit për ti përçuar 27 vendeve anëtare një mesazh tê qartë për mbështetjen e statusit kandidat për Shqipërinë.